Besimi i biznesit dhe konsumatorit në ekonomi u dobësua gjatë muajit Dhjetor. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u tkurr me 3.8 pikë në muajin Dhjetor, megjithëse niveli aktual qendron me më shumë se 8 pikë mbi mesataren historike.
Rënia e TNE-së këtë muaj u ndikua nga dobësimi i të gjithë treguesve të besimit të sektorëve të biznesit, por rënia më e madhe u regjistrua në ndërtim dhe shërbime. Më konkretisht, treguesi i besimit në ndërtim shënoi rënie me 5.5 pikë në Dhjetor, ndonëse niveli i tij vijon të qëndrojë me rreth 22 pikë mbi mesataren historike.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë konstaton se rënia e besimit në ndërtim u përcaktua si nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe nga ato për kontratat porositëse. Gjithashtu, pritjet për çmimet që do të vendosin ndërtuesit në të ardhmen kanë regjistruar rritje, ndërsa ato për punësimin paraqiten në përkeqësim të lehtë.
Me 5.5 pikë u tkurr edhe treguesi i besimit në shërbime dhe sipas Bankës së Shqipërisë për këtë kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës.
Rënie pësoi edhe treguesi i besimit në tregti dhe ai i konsumtatori. Sipas Bankës Qendrore, konsumatorët vlerësuan me rënie të lehtë situatën ekonomike të vendit në të ardhmen.
Tv Klan