Presidenti Amerikan Donald Trump ka urdhëruar sulme ushtarake kundër Sirisë, si hakmarrje ndaj sulmit me armë kimike që vrau dhjetëra civilë, përfshirë fëmijë.
Në sulm u përdorën raketat me rreze të mesme veprimi, të pakapshme nga radari, Tomahawk. Të njëjtat raketa u përdorën edhe në Luftën e Kosovën në vitin 1999 për të detyruar Millosheviçin të ndalte spastrimin etnik të shqiptarëve dhe të tërhiqej nga Kosova.
Sipas Pentagonit, dy luftanije amerikane nga Mesdheu lindor lëshuan 59 raketa Tomahawk ndaj një baze ajrore siriane.
Analistët thanë për “CNN” se Tomahawk ishte një zgjedhje e mirë për këtë lloj sulmi. “Tomahawk për këtë është krijuar. Fluturon poshtë dhe godet objektivin pa vënë në rrezik ekuipazhet e avionëve”, tha Kolonel Rick Francona.
Tomahawk janë raketa me rreze të mesme veprimi, ç’ka do të thotë se mund të lëshohen nga një distancë prej 1 250 kilometra deri në 2 500 kilometra larg objektivit të synuar.
Ata lëshohen nga deti dhe fluturojnë poshtë, të drejtuara nga një sistem i avancuar navigimi.
“Ajo që është e rëndësishme për këto raketa është se nuk shkojnë nga pika A tek pika B drejt”, thotë Gjernerali James Marks, i cili shpjegon se raketat lëvizin me kthesa.
Këto lloj raketash janë përdorur për herë të parë nga Shtetet e Bashkuara në operacionin “Stuhia e Shkretëtirës” në vitin 1991. Edhe Britania e Madhe disponon raketa të tilla, të cilat i ka blerë nga SHBA-të.
Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane raketa ka mbi 450 kg eksploziv. Në raketë mund të përfshihet edhe koka bërthamore, por deri më tani ata nuk janë përdorur për funksione të tilla.
Megjithëse Tomahawk kanë qenë në funksion prej më shumë se 25 vitesh, ato janë përditësuar me sisteme më të mira dhe tashmë janë më moderne.
Një raketë e tillë kushtonte 569 000 dollarë amerikanë në vitin 1999 dhe rreth 832 000 dollarë sot, sipas “CNN”.
Tomahawk
6.25 metër e gjatë bashkë me përforcues
Rrezja e veprimit: 1250 – 2500 kilometër
Shpejtësia – 800 km/orë
Misioni: Lëshohet nga deti, fluturon poshtë për të shmangur radarin
E përdorur për herë të parë: Në vitin 1991 gjatë operacionit “Stuhia e Shkretëtirës”
Përmbajtja: Mban mbi 450 eksploziv
Historiku i përdorimit të Tomahawk
1991 – 216 raketa Tomahawk u përdorën kundër objektivave irakiane gjatë operacionit “Stuhia e Shkretëtirës”.
1993 – SHBA sulmoi Irakun me 65 raketa Tomahawk në tri kohë të ndryshme, pasi Sadam Hyseni shkeli ndalim fluturimin në Lindjen e Mesme dhe pas përpjekjeve irakiane për të vrarë familjen e presidentit amerikan.
1995 – 13 raketa Tomahawk bombarduan ish-Jugosllavinë për ta detyruar për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me boshnjakët gjatë Luftës së Bosnjës.
1996 – Në objektiv vihen sërish forcat e Sadam Hysenit pas zhvendosjes me dhunë të më shumë se 40 000 kurdëve.
1998 – SHBA sulmon me raketa Tomahawk kampet e Al – Kaedës në Afganistan dhe Sudan, pas sulmeve të grupit terrorist ndaj ambasadave amerikane në Shtetet e Afrikës lindore.
1999 – SHBA dhe NATO sulmojnë me raketa Tomahawk ish-Jugosllavinë. Sulmi është pjesë e ofensivës së gjerë ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë së Presidentit Millosheviç, pas dështimit të negociatave dhe si përgjigje ndaj spastrimit etnik që Beogradi po kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës.
2001 – SHBA-të sulmojnë objektivat në Afganistan disa ditë pas sulmeve të 11 Shtatorit në Nju Jork.
2003 – Amerika përdor raketat e tmerrshme në luftën për rrëzimin e Sadam Hysenit. Operacioni i koalicionit nisi me sulmet me raketa Tomahawk.
2011 – Raketat kësaj radhe u përdorën kundër Gadafit të Libisë, i cili kishte shkelur ndalim fluturimin në vend teksa përballej me rebelët.
2014 – Koalicioni ndërkombëtar bombardoi me raketa Tomahawk Shtetin Islamik në Siri dhe Irak./tvklan.al