Një tragjedi ajrore ka tronditur sot Libanin, ku një avion Boeing 737-800, i kompanisë Etiopia Airlines me rreth 90 pasagjerë në bord, mes tyre edhe fëmijë u rrëzua në detin Mesdhe. Avioni u zhduk nga radarët 5 minuta pas nisjes nga aeroporti në Bejrut.
Mësohet se forcat e ndihmës së shpejtë kanë arritur të rikuperojnë 23 trupa të pajetë. Nuk bëhet fjalë për të mbijetuar. Autoritetet në Liban përjashtuan mundësinë e ndonjë sulmi. Dëshmitarët thanë se avioni u godit nga një vetëtimë e në pak sekonda u përfshi nga flakët.
Pjesa më e madhe e udhëtarëve ishin nga Libani dhe Etiopia, megjithatë kishte dhe nga vendet e tjera, si Britania, Franca, Rusia e Turqia, mes tyre, edhe bashkëshortja e ambasadorit të Francës në Liban.
Dhjetëra familjarë janë mbledhur në aeroportin e Bejrutit në pritje të lajmeve për të afërmit e tyre.
Një ngjarje e ngjashme me të njëjtën kompani ajrore ndodhi në Nëntor të vitit 1996. Një avion i marrë peng, u rrëzua në brigjet e ishujve Komoros. Nga 175 pasagjerë në bord, 125 gjetën vdekjen./tvklan.al