Një tragjedi e vërtetë ndodhi në Shkodër. Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët e saj janë hedhur nga ura në lumin Buna duke u vetëmbytur.

Sot polumbarët kanë mundur që të gjejnë trupin e pajetë të fëmijës së dytë, vajzës 8-vjeçare. Lajmin e dha mes lotësh ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai u shpreh se po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë të nënës 39-vjeçare dhe djalit 3-vjeçar pasi dyshohet që të jenë në të njëjtën zonë.

“Fatkeqësisht dyshimet tona po konfirmohen sepse sa është gjetur edhe trupi i një prej dy fëmijëve të tjerë dhe natyrshëm sipas asaj që policia ka rindërtuar si skenar i kësaj ngjarje tepër të rëndë dyshohet që edhe trupi i nënës dhe fëmijës tjetër të jetë po në këtë zonë. Kështu që policia, RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe forcat e tjera, dhe peshkatarët e zonës që gjej rastin t’i falenderoj do të vazhdojnë non stop për të gjetur nënën dhe fëmijën tjetër”, tha ai.

Kujtojmë se të dielën autoritetet mundën të gjejnë trupin e vajzës 9-vjeçare e cila u pikas në ujërat e lumit Buna nga një peshkatar i rastit. Trupi i saj i pajetë u përcoll këtë të hënë për në banesën e fundit.

Në foto: Erdgys Arrazi, babai i 3 fëmijëve

Babai në pranga

Në lidhje me ngjarjen është vënë në pranga Erdgys Arrazi, i cili dyshohet se e shtyu drejt vetëvrasjes gruan dhe 3 fëmijët e tij. Shkak dyshohet se ka qenë dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari (Lexo më shumë).

“Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit Erdgys Arrazi, 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja Alma Arrazi, 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa. Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje”, njoftoi policia të dielën.

Edhe sot ministri i Brendshëm, Taulant Balla, pohoi se dhuna në familje është dyshimi i fortë se dhuna në familje ka shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.

“Ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik”, tha ai.

Misteri i një akti tronditës

Pas kësaj ngjarje të rëndë dolën menjëherë detaje se cilat mund të ketë qenë arsyet që bënë 39-vjeçaren të merrte këtë vendim. Përpara aktit fatal, Alma Arrazi dhe 3 fëmijët kanë qenë për të pirë kafe me kunatën, gruan e vëllait të Erdgysit. Më pas ata janë ndarë, por në mënyrë të qetë, pa ngritur dyshimet se pas atij takimi do të ndodhte një tragjedi.

Ngjarja ka ndodhur më datë 2 Maj, ndërsa 31-vjeçari Arrazi e ka denoncuar largimin e familjarëve të tij një ditë më vonë më 3 Maj. Në këtë pikë të hetimeve, ka qenë motra e Almës, ajo që ka dëshmuar para uniformave blu se 31-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve. Pas veprimeve procedurale, Arrazi u vu në pranga.

Burime pohuan se ai u tregua fjalëpak e i ftohtë gjatë marrjes në pyetje. Ai mohoi dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve e gruas dhe nuk shfaqi asnjë ndjesi kur policia i dha lajmin për dyshimet që ekzistonin për vdekjen e tyre. Erdgys Arrazi nuk ishte denoncuar asnjëherë për dhunë më parë.

Ndërkohë të tjera burime bënë me dije se 39-vjeçarja Arrazi kohët e fundit kishte marrë vesh se burri e tradhtonte dhe kjo është bërë shkak për rëndimin edhe më të madh të gjendjes së saj psikologjike (Lexo më shumë).

Foto: Nëna, Alma Arrazi me 3 fëmijët e saj

Familjarët e Erdgys Arrazit, të shokuar: Nuk ia falim nuses vendimin fatal

Këtë të hënë reaguan edhe familjarë të Erdgys Arrazit, të cilët janë shprehur të shokuar e të lënduar për rastin tragjik. Ata kanë thënë se nuk ia falin nuses, Almës, vendimin fatal duke i marrë jetën vetes dhe 3 fëmijëve. Në një prononcim për mediat, ata pretendojnë se Erdgysi nuk i ka keqtrajtuar, madje punonte në një dyqan celularësh me qëllim që t’ju siguronte fëmijëve një arsimim në shkolla private (Lexo më shumë).

“Jemi të lëndur dhe shokuar, nuk ia falim nuses vendimin fatal që ka ndërmarrë duke i marrë jetën vetes dhe tre fëmijëve. Erdgysi i kishte pikë të dobët fëmijët, ai nuk i ka keqtrajtuar asnjëherë. Punonte gjithë ditën në dyqan celularësh për t’i dërguar në shkolla private. Çifti kohët e fundit kanë patur debate dhe Alma merrte ilaçe në ambulatorin e lagjes për gjendje të rënduar emocionale, por këtë vendim as nuk mund ta imagjinonim”, u shprehën ata.

Foto: Pamje nga kërkimet në lumin Buna

Kërkime deri në Mal të Zi

Prej të dielës vijojnë kërkimet në lumin Buna, tashmë për gjetjen e trupave të Alma Arrazit dhe djalit 3-vjeçar. Këtë të hënë kërkimet u shtrinë edhe në ujërat malazeze (Lexo më shumë).

Kërkimeve iu janë bashkuar edhe forcat e Armatosura, si dhe peshkatarë të rastit. Ishte një peshkatar që gjeti dje trupin e pajetë të vajzës 9-vjeçare, i cili atë moment e kujton kështu (Lexo më shumë).

“M’u duk a është kukull a njeri. Për momentin u shokova sepse më shkoi mendja për njeri. Mora policinë në telefon, erdhën menjëherë”, tha ai.

Policia e Shkodrës ka sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit dhe bizneseve të tjera në afërsi të urës së vjetër të Bunës, për të parë lëvizjet e nënës dhe 3 fëmijëve. Nga këqyrja e tyre nuk shfaqet momenti kur janë hedhur në lumë, por është fiksuar momenti kur po pinte kafe në lokal me kunatën. Kjo e fundit ka thënë se Alma thjesht i kishte treguar që kishte bërë fjalë me burrin dhe jo probleme të tjera.

Të martën, Erdgys Arrazi do të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Hetuesit kanë verifikuar edhe deklaratat e tij për vendin ku ndodhej kur dyshohet se ndodhi tragjedia.

Familja Arrazi jetonte në Shkodër dhe kanë qenë në gjendje të mirë ekonomike. Prej 10 vitesh, Erdgysi dhe Alma kishin lidhur martesë dhe ishin bërë prindër të tre fëmijëve.

Lule në urën e Bunës, thirrje për të denoncuar dhunën

Mirëpo sot, në urën e Bunës, qytetarët nuk shkuan për të bërë xhiron e zakonshme, por hodhën lule në nderim të jetëve të prera tragjikisht në mes. Një thirrje e pati edhe ministri Taulant Balla.

“Kjo është një ngjarje e rëndë, fjalët nuk i lidhim dot, por dua që nga ky moment i vështirë t’i bëj një thirrje të gjitha vajzave dhe grave në këtë vend që ta denoncojnë dhunën”, tha Balla./tvklan.al