Milana Tatarchukova ishte nisur në një festë të ditëlindjes në qendrën tregtare Zimnyaya Vishnya në Siberi kur ka parë shtëllunga tymi të zi.

Në mesin e kaosit teksa klientët e qendrës po tenton të largoheshin nga zjarri i 25 marsit që ka lënë të vdekur të paktën 64 persona, në qytetin siberian, Kemerovo, asaj i shfaqet vetëm një imazh.

“Skena më e tmerrshme ishte kur një pajisje rrotulluese për fëmijë ishte ende duke lëvizur me disa fëmijë që gjendeshin në të”, ka thënë Tatarchukova për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

“Operatori është larguar kur ka nisur zjarri. Fëmijët ishin ende aty”.

Tatarchukova, ka thënë se qendra tregtare e cila përfshin një kompleks argëtimi, kopsht zoologjik dhe disa restorante, ishte e mbushur me njerëz në pasditen e së dielës.

Tatarchukova ka thënë se fëmijët janë shpëtuar nga një person, i cili ka arritur të ndalë pajisjen dhe t’iu ndihmojë fëmijëve të hiqnin rripat e sigurisë dhe të largoheshin nga zona.

Ajo ka thënë se derisa ata janë larguar nga qendra, “një person është hedhur nga dritarja dhe ka goditur kokën në asfalt para syve tanë”.

Tatarchukova ka shtuar se ajo dhe familja e saj teksa largoheshin kanë informuar edhe personat e tjerë që të largohen nga qendra, “mirëpo askush nuk na ka besuar sepse nuk kishte ndonjë alarm të zjarrit”, është shprehur ajo.

Dyert kanë qenë të mbyllura

Dëshmitarja, Anna Zarechneva ka shkruajtur në Instagram se ajo ka qenë duke shikuar një film me burrin e saj dhe djalin katërvjeçar kur “dera është hapur dhe dikush është dëgjuar derisa ka bërtitur ‘Zjarr, zjarr’”.

Postimi i Zarechnevas është përcjellë me një video që ka xhiruar ajo duke përshkruar se si familja dhe pjesëtarët e tjerë të familjes janë larguar në panik.

“Ne nuk kemi dëgjuar ndonjë alarm zjarri”, ka thënë ajo.

“Turma ishte duke u larguar përmes një dere të ngushtë. Nuk janë hapur dyert emergjente. A ka pasur ndonjë?

“Derisa jemi larguar nga salla e kinemasë, zona e fëmijëve në katin e dytë ka qenë plotësisht e mbuluar me tym të zi”.

“Ka qenë e pamundshme që të marrësh frymë”, ka shkruar Zarechneva.

 

Ajo ka përshkruar skenën derisa njerëzit janë nisur drejt shkallëve për të ikur nga ndërtesa e kapluar nga zjarri.

 “Shumë fëmijë qanin dhe bërtisnin”, ka shkruar ajo.

“Të rriturit kanë vrapuar duke shtyrë fëmijët”.

“Tregoj nënës sime se e kam dashur”

Shumë përdorues të rrjeteve sociale janë duke postuar fotografi të vajzës 12 vjeçare, Vika Pochankina, e cila ka qenë brenda qendrës tregtare me disa shokë të klasës, mirëpo vazhdon të jetë e pagjetur.

Tezja e saj, ka treguar se ka pranuar një telefonatë nga Vika e cila ka qenë e bllokuar brenda kinemasë.

“Në orën 16:11 kur ka nisur zjarri, kam pranuar një telefonatë nga kinemaja, ku gjendej mbesa ime Vika. Ajo më ka thënë se gjithçka është duke u djegur dhe dyert janë të bllokuara. Ajo ka thënë se nuk mund të largohet nga aty e as të marrë frymë. Unë i kam thënë: Vika hiqi të gjitha rrobat dhe mbylle hundën me veshjet e tua”.

“Vika më ka thënë: Tregoj nënës sime se dua. Tregoju të gjithëve se i dua. Linja më pas është shkyqyr. Vazhdoj ta thërras, linja është në rregull, mirëpo nuk ka përgjigje”.

Gruaja ka thënë për tabloidin rus, Komsomolskaya Pravda se në mbrëmjen e 25 marsit, familja ende nuk ka ditur për fatin e Vikas dhe të tjerëve se “shpreson dëshprimisht” që ajo të ketë shpëtuar.

Vika ishte në mesin e nxënësve nga qyteza, Treshchevsky, të cilët kanë qenë një një vizitë shkollore së bashku me mësuesin e saj dhe dy prindërit.

Ende mbetet e paqartë se sa fëmijë nga Treshchevsky kanë shpëtuar nga zjarri.

Administrata e shkollës i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se fëmijët dhe një përfaqësues i shkollës është duke kontrolluar spitalin dhe morgun.

Sipas hetimeve fillestare, flakët kanë nisur në katet më të larta të qendrës tregtare ku ishte kinemaja, restorantet dhe zona e dedikuar për fëmijët.

Në këtë qendër ka qenë edhe një kopsht zoologjik me 200 kafshë, asnjëra prej të cilave nuk i ka shpëtuar zjarrit./REL