Shumica e punëtorëve që kërkon sot tregu i punës ka të bëjë me zanatçinjtë. Mungesat më të mëdha vërehen në sektorin e ndërtimit, të shërbimeve dhe hoteleri-turizmit.
Ylber Gjeta, ekspert punësimi: Është shumë e vështirë të gjesh murator, elektricist, hidraulik, punime dekorative gipsi, bojaxhi, bëhet fjalë për mjeshtra, kamarier, banakier.
Sipas ekspertëve, kërkesa për fuqi punëtore ka bërë që pagat të rriten ndjeshëm.
“Pas pandemisë janë rritur pothuajse dyfish. Një hidraulik mund të marrë 150 mijë deri në 200 mijë Lekë të reja në muaj. Nëse një shtrues pllakash para disa vitesh merrte 500 Lekë për metër katror, sot merr nga 1 mijë e 200 Lekë deri në 1 mijë e 700 Lekë.”
Edhe pse me vështirësi, së fundmi Gjeta pohon se të rinjtë po afrohen drejt zanatit.
“Ka dy vjet që ka filluar një kërkesë drejt zanateve. Jemi shoqëri dembele, mendojmë si e si të pasurohemi shpejt.”
Vetëm në Agjencinë Kombëtare të Punësimit, aktualisht ka rreth 5600 vende të lira pune dhe vetëm 30% e tyre kërkojnë arsim të lartë universitar.
Tv Klan