Për shumë prej nesh, viti 2025 mbetet ende një e panjohur. Për ata që parashikojnë trendet, tashmë është mjaft e qartë, ose të paktën një pjesë e tij.
Këta të fundit e kanë kaluar vjeshtën duke grumbulluar të dhëna që mund të parathonë muajt e ardhshëm. Pasarelat, të dhënat e blerjeve online dhe postimet në rrjete sociale janë një pasqyrë për gardërobën e këtij viti.
Gen Z po rikthen xhinset e ngushta ndërsa pizhamat do të jenë më të sofistikuara, por gjithçka që duhet të dini mund ta zbuloni përmes 5 trendeve që mendohet se do të jenë kryefjala e vitit.
Pizhama
Fjetja me pizhama i përket 2024-ës. Trendi është që këtë vit, pizhamat elegante të kthehen në veshje për të udhëtuar, shkuar në plazh e kudo. Madje, të dhënat kanë treguar se janë ndër artikujt më të shitur në kategorinë e blerjeve për pushime. Kjo jo sepse po kalojmë më shumë kohë në shtrat, por sepse pizhamat po shihen si një element praktik dhe multifunksional.

Aksesorë në çantë
Varëset dhe zbukurimet për çantën duket se tregojnë për vetëshprehjen dhe ekskluzivitetin. Fuqia e këtij sendi të vogël është personalizimi dhe mundësia për ta dhuruar duke kaluar në shumë grupe interesi. Mjafton të hidhni një sy te çanta Hermess Birkin e Dua Lipës dhe do të kuptoni për çfarë bëhet fjalë.

Kamosh
Kamoshi është copa që do të mbizotërojë në 2025-ën. Kryesisht do ta shohim në pranverë ku do të shfaqet ngado stili “boho chic” që përfaqëson romancë dhe feminilitet. Kamoshin do ta shoqërojë dantella, byrynxhyku dhe siluetat e shkujdesura që na kujtojnë binjaket Olsen.

Xhinset e ngushta
Nëse ende s’i keni hedhur, është momenti t’i nxirrni nga skuta ku i keni fshehur në dollap sepse xhinset e ngushta po rikthehen ngadalë. Marka si Diesel, Off-White e Maison Margiela i rikthyen në pasarelat e pranverë-verë 2025 për herë të parë pas disa vitesh që nuk po i shihinm më. Por duhet thënë se xhinset e gjera do të mbeten dominante.

Qershi
Pavarësisht se Pantone zgjodhi “Mocha Mousse” si ngjyrën e këtij viti, Pintrest ka parashikuar se e kuqja e qershisë do të jetë më e preferuara, edhe në nuancat e errëta. Këtë ngjyrë e pamë të veshur nga Lily Collins gjatë turneut për “Emily in Paris” si dhe nga Tom Holland e Zendaya.

/tvklan.al