Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale
Një shpërthim tritoli zgjoi mëngjesin e së hënës banorët e lagjes “Tom Kola” në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 3 e 40 minuta të mëngjesit, teksa një sasi e konsiderueshme lënde plasëse shpërtheu në portën e jashtme të një shtëpie në pronësi të 62-vjeçares, Frida Sala.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Nga informacionet e para mësohet se autori që ka hedhur lëndën plasëse ka qenë i maskuar dhe me motor. Në dëshminë që ka dhënë në polici, Frida Sala ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri.
“Jemi zgjuar me djalin në mëngjes për të ngrënë syfyrin për muajin e Ramazanit. Kemi dëgjuar shpërthimin së bashku me djalin dhe menjëherë kemi njoftuar policinë. Nuk kemi konflikt me askënd. Nuk di arsyen pse mund ta kenë bërë.”
Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë që ishin të instaluara në hyrje të banesës, ndërsa po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Tv Klan