Ish-Presidenti amerikan Donald Trump është qëlluar me armë gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani.

Ngjarja e rëndë që tronditi Amerikën ndodhi teksa Trump fliste para mbështetësve të tij për garën elektorale të Nëntorit 2024, kur Trump kërkon një tjetër mandat si President dhe përballet me Joe Biden.

Sipas mediave amerikane, Donald Trump ka qenë duke folur në podium kur u qëllua me armë. Plumbi e kapi në vesh dhe faqe, duke e lënë të gjakosur. Më pas skena i la vendin kaosit.

Agjentët e Shërbimit Sekret mbuluan menjëherë ish-Presidentin dhe e larguan nga vendngjarja. Trump ishte i ndërgjegjshëm dhe shëndeti i tij nuk paraqiste rrezik.

Autori i sulmit u vra më pas nga Shërbimi Sekret. Mediat raportojnë se gjatë tentativës për vrasjen e Donald Trump, autori vrau një qytetar në tubim dhe plagosi 2 të tjerë, të cilët janë në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Çështja po hetohet me prioritet të lartë nga ana e autoriteteve amerikane. Donald Trump u dërgua në spital për trajtim mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Presidenti Joe Biden telefonoi Donald Trump dhe pati një bisedë me të, sipas Shtëpisë së Bardhë. Por nuk është bërë e ditur se çfarë biseduan dy presidentët.

/tvklan.al