Sulmuesi i Kombëtares, Indrit Tuci, u shfaq entuziast para ndeshjes me Çekinë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Tuci deklaroi se nuk ka presion, por i lumtur që mund të luajë në “Air Albania” për herë të parë dhe theksoi se është i gatshëm, nëse zgjidhet nga trajneri.
“Nuk kam presion, por e kam me qejf të madh, sepse është hera ime e parë në “Air Albania”. Këtë e marr si motivim, jo presion. Nëse trajneri më zgjedh mua, unë jam i gatshëm të bëj punën time.
Unë i njoh mirë çekët. Kanë një lloj stil loje, janë shumë të fortë fizikisht dhe luajnë me topa të gjatë. Duhet të luftojmë më shumë në topat e dytë. Shpresoj të bëjmë njëjtë si Gjeorgjisë dhe të kënaqim tifozët”, tha ai.
I pyetur për problemet fizike, lojtari u shpreh se nuk ka probleme, por edhe nëse ka ndonjë shqetësim të vogël, për Kombëtaren jep gjithçka.
Tuci tha se nuk mërzitet edhe nëse nuk luan, pasi nuk është klub. Sipas tij, të gjithë në grumbullim janë për kombin.
“Besoj se jam gati, sepse kam bërë të gjitha testet dhe më kanë dalë me sukses. Mund të kem ndonjë shqetësim të vogël, por nuk do të thotë asgjë, sepse këtu jemi për Kombëtaren dhe japim gjithçka.
Nuk mund të themi se janë pak 3 gola në 4 ndeshje. Ne kemi 6 pikë aq sa dhe skuadrat e tjera. Qejfi i të gjithëve është të shënojë gol, por besoj se do ia dalim me sukses sepse po stërvitemi mirë. Kam ardhur këtu për të dhënë më të mirën, sepse këtu nuk jemi në klub. Aty mund të mërzitem nëse luaj më pak, por Kombëtarja është gjë tjetër. Këtu nuk jemi për veten tonë, por për kombin. Duhet të japësh maksimumin.”
Në fund, Tuci deklaroi se golin e mendon çdo ditë, por shtoi se objektivi i parë është të ndihmojë ekipin.
“Unë luaj me qendërmbrojtësin e Çekisë, por u dëmtua. Është shumë lojtar i mirë dhe më vjen mirë që s’do të luajë kundër nesh. Çdo ditë e mendoj golin. Para se të shkoj të fle, mendohet goli sesi të shënosh. Objektivi im është të ndihmoj ekipin, pastaj goli nëse vjen është i mirëseardhur”, deklaroi Tuci.
Ndeshja Shqipëri-Çeki, do të luhet më 16 Nëntor, ndërsa transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan. /tvklan.al