Turizmi, i konsideruar dhe si sektori më i sukseshëm përsa i përket të ardhurave në ekonominë e vendit, mbetet një nga prioritetet e qeverisë.
Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” u është përgjigur komenteve të qytetarëve, duke thënë se suksesi i vendit tonë në këtë sektor nuk është vetëm nga të turistët e huaj, por edhe nga qytetarët shqiptarë që zgjedhin bujtina dhe hotele në zona të ndryshme për të pushuar, qoftë edhe në fundjavë.
“Po a e di ti o miku im sa shqiptarë bëjnë pushime brenda apo lëvizin për fundjava, po flas për shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, ja çfarë thotë INSTAT, jo qeveria e Shqipërisë, 979,456 shtetas, rezidentë shqiptarë kanë qenë pushues në hotelet dhe bujtinat e vendit gjatë vitit 2024, dhe këtu nuk futen ata që kanë rezidenca dytësorë”, tha Edi Rama.
Një përgjigje pati dhe për skeptikët ndaj qeverisë.
“Ata që nuk e duan qeverinë e përdorkan argumentin se unë qenkam jashtë realitetit, po si shpjegohet që realiteti sipas këtyre paska qenë më i mirë derisa erdhëm ne dhe e prishëm. Shqipëria shikohej si dele e zezë, ndërsa sot janë shtuar miliona e miliona të huaj. Nuk e di por inati politik e bëka njeriun të verbër e shurdh, tamam tifoz futbolli. Sidoqoftë, dielli nuk mbulohet me shoshë”, tha Rama.
Në vitin 2024, Shqipëria u vizitua nga 11.7 milionë turistë të huaj, më një rritje prej 15.2 përqind, krahasuar me vitin 2023.