Largimi i tij nga Vizion Plus pas më shumë se një dekade bëri jo pak bujë në media. Turjan Hyska iu bashkua Televizionit Klan jo vetëm si producent dhe drejtues i një emisioni, por edhe me një post të rëndësishëm, si Drejtor i Përgjithshëm i Klan Plus dhe këtë të fundit as e kishte menduar ndonjëherë. Ishte pronari i Televizionit Klan, Zoti Aleksandër Frangaj, ai i cili i besoi Hyskajt drejtimin e Klan Plus. Në një rrëfim të gjatë për tvklan.al, ai na tregon sesi erdhi ftesa për t’iu bashkuar Televizionit Klan, si dhe për dy emisionet e tij, “Duplex” ku është në rolin e producentit, emisionin më të ri “Familja”, në të cilin Hyskaj është në rolin e autorit dhe drejtuesit të programit, si edhe për postin e tij në Klan Plus.

Ju jeni Drejtor i Përgjithshëm në Klan Plus, si dhe do të drejtoni dy programe të rëndësishme në Tv Klan, ku e gjeni kohën dhe energjitë për të patur gjithçka nën kontroll?

Koha është e gjindshme, e kam thënë gjithmonë. Unë kam pasur më shumë ngarkesë në Vizion Plus dhe në Tring, kështu që nuk kam e frikë fare pjesën e ngarkesës. Për hir të së vërtetës, kapacitet e Tv Klan janë shumë të mëdha dhe suporti është shumë i madh. Koha gjendet fare thjeshtë, edhe pse duket klishe, por kur bën atë që do, mund ta gjesh kohën. Dy asetet e mija, ai menaxherial dhe artistik mund të përdoren fare mirë. Për dy programet isha i përgatitur, sepse ai ishte elementi i parë kur unë erdha në Tv Klan. Ndërsa për Klan Plus, apo kanalin e ri i cili do ri-brandohet nga fillimi, ishte një propozim që më erdhi nga Aleksandër Frangaj dhe nuk i thashë jo, sepse është një gjë nga e para, është një “bast” i imi dhe i kompanisë, që ai kanal të mos jetë një zgjatim i Tv Klan-it, por të jetë tërësisht një televizion i pavarur në treg dhe të konkurrojë sado pak mediat e tjera. Ai do të jetë televizion gjeneralist, kështu që shpresoj shumë t’ia dalim mbanë. Pasi të fillojmë programet e mëdha në Tv Klan, do të merrem seriozisht me Klan Plus.

Por le t’i marrim me radhë. “Apartamenti 2XL” tashmë ka një emër të ri, “Duplex”. Përveç emrit, çfarë do të ketë të re në këtë emision humori?

“Duplex” është një risi jo vetëm në skenografi, por do të jetë një upgrade shumë i madh i asaj që ne kemi bërë. Është po e njëjta strukturë, por me disa surpriza, hyrje të reja, do të ketë personazhe të rinj. Do të ketë skenografi të re dhe në aspektin e funksionalitetit. Nuk jemi më një apartament i vogël, por një “Duplex”  i madh. Raporti me të ftuarit do të ndryshojë. Humori do të jetë më “mistrec”, në sensin e vënies në siklet të aktorëve.

Si është menduar të vijë “Duplex” dhe a do të ketë personazhe të rinj, apo do të vazhdoni me të njëjtën kastë?

“Duplex” është energji e përbashkët, ai nuk është një njeri, por të gjithë duhet të jenë në sintoni të plotë, sepse nuk janë të pavarur. Unë duhet të kem kimi me aktorët, po ashtu aktorët me njëri-tjetrin. Nuk luan dot solo dhe kjo e bën magjike atë shfaqje. Nga impakti që kemi pasur në rrjete sociale dhe në telefonata dhe kërkesa për ta parë “Duplex” në Tv Klan besoj dhe shpresoj që do të jetë suksesi i të shtunës. Do ketë të rinj, edhe pse “Duplex” nuk ka nevojë për aktorë të rinj.

Një situatë që Turi bëhet me nerva gjatë programit?

Ka shumë (qesh). Nëse ajo kaseta që me regjistron mua kur jap urdhrat do të dilte në transmetim, njerëzit do të mendonin gjë tjetër për mua. Është shumë e vështirë të administrosh komunikimin me aktorët, kur ata janë në skenë dhe kanë një ritëm të tyre, që në atë moment kur duan të bëjnë atë që duan është shumë e vështirë t’u ndryshosh kokën. Dhe mbi të gjitha, kur janë në backstage dhe janë të papërgjegjshëm, ndërkohë që unë jam shumë i përqendruar dhe i dëgjoj ata të gjithë që luajnë, sepse dimensioni aktorit është një botë shumë e bukur dhe të punosh me ata është shumë bukur. Lodhesh shumë, por harron gjithçka.

Çfarë ju thua aktorëve para se të ngjiten në skenë?

Ka rituale të ndryshme, p.sh ju them që le ta bëjmë këtë puntatë për Egin, le ta bëjmë këtë puntatë për teknikun e audios, le ta bëjmë këtë puntatë për miqtë. Ndërsa kur nuk kam unë energji apo gjërat po ecin më ngadalë, janë ata që më japin zemër mua. Nëse një ditë do të bëj një analizë të gjërave që kam bërë, kjo besoj se është një nga pasuritë e mija më të mëdha, ndërtimi i atij grupi pune.

Kalojmë pak tek programi i cili “u ngjiz” në Tv Klan, bëhet fjalë për “Familja”. Si lindi ideja për të krijuar këtë emision dhe çfarë do të arrijë Turi, pra cili është qëllimi i tij?

Është e vërtetë, familja u “ngjiz” në Klan. Unë qëllimisht nuk po e reklamoj shumë, sepse do jetë një surprizë shumë e bukur. Kapacitetet e Klanit, madhësia, investimi, besoj se do e kthejnë të dielën në Tv Klan, një ditë shumë të bukur për të gjithë shqiptarët. Pasi e diela është e familjeve shqiptare dhe nis me “Të Dielën Shqiptare”, më pas me programin “Familja”, e cila do të jetë një mbyllje shumë e ëmbël.  “Familja” do të jetë kryefjalë në të gjitha dimensionet. Unë kam një dosje që quhet “Fringo” dhe aty janë ndër vite të gjitha projektet dhe ndonjëherë më vjen për të qeshur. Unë përgjithësisht projektet i nis natën, edhe kur shoh diçka nga jashtë. Sepse jo të gjitha janë krijime, por i përshtas. Dhe tek kjo dosja ka shumë projekte, ku mes tyre ishte dhe “Familja”.

Sa familje do jenë pjesëmarrëse në një puntatë dhe si do konkurrojnë me njëra-tjetrën ?

“Familja” do të luajnë dhe do jetë e përbërë nga katër ose tre anëtarë. Duhet të ketë fëmijë mbi moshën 10-vjeçare, që të bëjnë lojërat tona. Familja duhet të ketë dëshirën për të luajtur, si dhe duhet të kenë mbi të gjitha të ngulitur në kokë që familja është e shenjtë. Aty do të fitohen para. Raundi i fundit është i gjithi me para kesh. Brenda një nate luajnë katër familje dhe fiton njëra. Të katërta këto familje do të përballën me njëra-tjetrën. Të katërta këto familje fitojnë çmime në vetvete, pra askush nuk del i humbur. Familja në fund rrezikon të ngelet dhe pa asnjë gjë, ose të fitojë shumë, kjo është pjesë e formulës së emisionit. Janë realizuar lojëra të mëdha fizike, skena është gjigande e përgatitur nga Gaetano Castelo. Besoj se do ia lemë kohës, do të rritet dhe do të maturohet rrugës.

A i mungon Turit media ku ka punuar më parë, pra Vizion Plus dhe Tring?

Janë 15 vite të jetës sime, nuk kam asnjë peng. Sigurisht që më vonë do fillojnë, që do bëj historikun, sepse nuk kam pasur kohë. Dinamika e ngjarjeve ndryshoi direkt. Tani e kam kuptuar që paskam brenda meje një veti, që në momentin që diçka e ndërpres nuk ka më kthim pas. Unë nuk e kisha menduar në fakt kurrë që do të lëvizja. Takimin me Aleksandër Frangajn erdhi shumë i beftë, në sensin që nuk zgjati shumë dhe pas takimit të parë tha, ti do të vish në Klan, pa diskutuar ndonjë detaj.

Unë qesha dhe thashë që nuk do të vij kaq shpejt në Klan, sepse është një proces i gjatë në kokën time. Unë e kisha problemin se a do të ndahesha dot me televizionin ku isha. Por besoj se çdokush në jetë duhet të lëvizë. Unë i bëra të gjitha procedurat. Unë jam natyrë shumë besnike.

Në këto 15 vite, unë nuk është se nuk kam patur oferta dhe joshje, por Vizion Plus-i dhe Tring-u më kanë dhënë mua mundësi që në moshë të vogël dhe më kanë besuar. Unë kuptova se nëse nuk bëja një gjë të re, ose duhet ta lija fare këtë zanat, gjë që nuk besoj se do e le këtë zanat, pasi nuk jam aq i keq, ose duhet të bëja një lëvizje. Për hir të së vërtetës Klani është ai që është. Është një institucion shumë i madh. Ka garë, ka energji, ka konkurrencë, mua kjo më pëlqen shumë. Si dhe në të njëjtën kohë ka pavarësi të produksioneve nga njëra-tjetra dhe kjo me zgjon kërshërinë për të punuar. Aq më tepër që mua m’u shtuan dhe disa sfida, tek njëra producent, tek njëra autor dhe moderator, si dhe tek tjetra drejtor i Përgjithshëm i Klan Plus. Ajo që mua më pëlqen është të jetoj në dimensione të shumta, gjë që e kam bërë, por tani do e bëj dhe do të jem më i fokusuar.

Gjithë këto angazhime që keni marrë përsipër, a ndihet Orinda e lënë pas dore?  

Orinda ka ardhur në Tv Klan. Në dijeninë time, ajo ka mbyllur një kontratë ku do të bëjë “Jo vetëm modë” dhe do të jetë tek juria e “Këngës Magjike”.

Përsa i përket pyetjes, Orinda nuk ka si të ngelet pas dore, pasi dita për mua mbyllet në orën 7:00 dhe unë jam i lirë. Duke qenë në të njëjtin zanat ne e mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Unë kam një avantazh që nuk fle natën, kështu që e kompensojmë (qesh).

Televizioni ka një avantazh, që është fleksibël, unë nuk kam orare. Nëse unë ndihem keq, dua të pushoj, rri. Nëse unë kam një problem mund të mos vij. Ditët e transmetimit janë të shenjta. Përveç fatkeqësisë familjare, ose kur kam qenë me temperaturë.

Meqë jemi tek pushimet, a ka pushuar Turi?

Nuk kam bërë dhe nuk kam ndërmend të bëj pushime. Ky është një vit shumë i rëndësishëm për mua. Unë jam një investim për kompaninë dhe duhet patjetër ta shikoj si kompaninë time.

Unë kam ardhur të rri gjatë në Klan. Synimi im është të rri gjatë dhe do të punoj fort. Ta identifikosh veten me kompaninë. Kjo bëhet duke e bërë shumë mirë punën tënde, duke e konsideruar veten pjesë të kompanisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrësh rezultate maksimale dhe kjo më ka dhënë sukses. Nuk do e ndryshoj tani. Në këtë kontekst, gjëja e fundit është që unë të mendoja të bëja pushime këtë vit. Dhe me thënë të drejtën nuk më pëlqejnë shumë pushimet, që ditën e tretë më kap frika nga pushimet (qesh).

/tvklan.al