Viti i akademik 2010 -2011 do t’i gjejë studentët e universitetit Aleksandër Moisiu, filiali Peshkopi në një godinë të re universitare.
Në këtë mënyrë mungesa e ambienteve që i ka shoqëruar në vitin e parë të studimit do të marrë fund.
Sipas drejtoreshës së këtij filiali, këtë vit do të dyfishohet edhe numri i pedagogëve dhe do të sigurohet konvikt për studentët e rretheve.
Anila Doda: “Hë për hë ne jemi akomoduar në katin e katërt të shkollës së mesme, Nazmi Rushiti. Janë bërë marrëveshjet, janë bërë projektet, dhe sigurisht që vitin e ri akademik ne do ta fillojmë në ambiente të tjera më të mëdha. Gjithashtu edhe stafi pedagogjik do të jetë gati i dyfishuar ose i trefishuar. Akomodimi i studentëve është zgjidhur në mënyrë private, por ne si universitet, si rektorat po bëjmë përpjekjet. Jemi në bashkëbisedim me bashkinë për të arritur një marrëveshje dhe për të arritur disa kontrata, për të ngritur mbase edhe ndonjë konvikt”.
Filiali i universitetit Aleksandër Moisiu është çelur këtë vit për herë të parë në qytetin e Peshkopisë, ku janë pranuar 420 studentë në 12 degë studimi./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami