Një ditë pasi uragani “Milton” goditi Floridën dhe i mori jetën të paktën 16 personave miliona banorë të këtij shteti janë ende pa energji elektrike.

Megjithatë, punonjësit e shërbimeve komunale riparuan disa linja të dëmtuara të energjisë. Ekipet e emergjencave dhe banorët pastruan pemët e rrëzuara në rrugët e qyeteteve. Operacioni i pastrimit të shumë akseve rrugore mund të zgjasë javë ose edhe muaj të tërë.

Dëmet nga uragani i pestë më intensiv në histori, “Milton” mund të arrijnë deri në 100 miliardë Dollarë, thonë analistët. Shtëpia e Bardhë premtoi mbështetje finaciare për të gjithë të prekurit nga uragani.

Por republikani Donald Trump, i cili garon kundër zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit, sulmoi këtë të fundit dhe Presidentin Joe Biden për mënyrën se si e kanë trajtuar këtë fatkeqësi natyrore.

Harris, i cili ka thënë se Trump po përhap gënjeshtra në lidhje me përgjigjen e qeverisë ndaj kësaj fatkeqësie, iu kundërpërgjigj politizimit të çështjes të enjten.

“Fatkeqësisht, ne kemi parë gjatë dy javëve të fundit, që nga uragani Helene, dhe tani me uraganin Milton, njerëz që po luajnë lojëra politike”, tha Harris, pa përmendur emrin e Trump.

Administrata Biden ka bërë të ditur se Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave ka nevojë për fonde shtesë nga Kongresi, ku republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Demokratët kontrollojnë Senatin.

Klan News