I ndodhur para një shtëpie të shkatërruar në një plazh të Floridës, presidenti amerikan Joe Biden premtoi se do të ofrojë mbështetje për komunitetet e prekura nga uragani Milton.

“Jam në Florida për herë të dytë brenda në dy javë për të pare dëmet e uraganit shkatërrues. Fatmirësisht, ndikimi nuk ishte aq i rëndë sa ishte parashikuar, por për disa individë ky uragan ka rezultuar katastrofik. Ata kanë humbur shtëpitë e tyre por më e rëndësishmja shumë prej tyre kanë humbur të afërmit.”

Nga ana tjetër republikanët e udhëhequr nga ish-presidenti Donald Trump akuzuan administratën e Biden se nuk po bën sa duhet për të ndihmuar njerëzit. Për këto deklarata kreu i Shtëpisë se Bardhë pati një reagim.

“Janë momente të tilla ku ne bashkohemi për t’u kujdesur për njëri-tjetrin. Jo si demokratë apo republikanë, por si amerikanë.”

Presidenti njoftoi një paketë ndihme prej më shumë se 600 milionë Dollarë për dëmet në rrjetin elektrik që u shkaktuan nga uraganet Helene dhe Milton.

Aktualisht Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave ka fonde për të përmbushur nevojat imediate, por administrata e Biden po kërkon më shumë para nga Kongresi duke qenë se kjo zonë mund të goditet edhe nga fatkeqësi të tjera deri në përfundimin e sezonit të uraganeve.

Klan News