Vendimi vjen pas një pauze 16-vjeçare
Qeveria federale amerikane pritet të ekzekutojë të burgosurit e dënuar me vdekje, pas 16 vitesh që nuk kryhet një i tillë. Lajmi u bë i ditur nga Departamenti i Drejtësisë.
Prokurori i Përgjithshëm, William Barr tha në një deklaratë se kishte udhëzuar Byronë e Burgjeve që të kryente ekzekutimet e 5 të dënuarve. Barr tha se ata janë të dënuar për vrasje, përdhunim të fëmijëve, apo të moshuarve.
Ekzekutimet janë planifikuar për në Dhjetor të 2019-s dhe Janar të 2020-s.

“Nën administrimin e të dyja palëve, Departamenti i Drejtësisë ka kërkuar dënimin me vdekje për kriminelët më të rrezikshëm”, tha Barr në deklaratë. “Departamenti i Drejtësisë zbaton ligjin dhe i detyrohemi viktimave dhe familjeve të tyre që të çojmë deri në fund dënimin e dhënë nga sistemi jonë i drejtësisë”.
Ky vendim heq kështu një moratorium informal të dënimit federal me vdekje, që prej ekzekutimit të vitit 2003 të Louis Jones Jr. 53-vjeç, i dënuar për rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen e 19-vjeçares Tracie Joy McBride. /tvklan.al