Çelësi për një jetë të mirë dhe të shëndetshme është gjumi i rregullt. Por, në këtë periudhë pandemie, rritja e nivelit të stresit, ankthit dhe përkeqësimi i dietës po shkaktojnë çrregullime të mëdha të gjumit tek shumë njerëz.
Duhet të dimë se ushqimet e konsumuara gjatë ditës kanë një efekt të madh në gjumë dhe shumë lehtë mund të rrisim ose prishim cilësinë e tij nga ajo çfarë zgjedhim të konsumojmë.
Ngrënia e ushqimeve që treten me vështirësi si ushqimet e skuqura, ushqimet me përmbajtje të lartë yndyre dhe sheqeri apo konsumimi i pijeve si çaji, kafeja dhe koka-kola me përmbajtje të lartë të kafeinës afër kohës së gjumit do ta vështirësojnë kalimin në gjumë dhe do të ulin cilësinë e tij.
Ndërsa nga ana tjetër, kemi ushqimet që përmirësojnë cilësinë e gjumit. Karakteristikë e përbashkët e këtyre ushqimeve është se ato janë të pasura me aminoacid triptofan, që ndihmon në përshtatjen e trupit për ndryshimet ditë-natë.
Prandaj, për një cilësi sa më të mirë të gjumit, ushqimet që duhet të konsumoni më shumë në kohën e darkës janë: Banane, kajsi, mollë, spinaq, patate e ëmbël, bajame, qumësht, farë liri, kos, bishtajore si dhe çajra bimorë pa kafeinë./tvklan.al