Komisioneri Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi, ka kërkuar nga Kosova të ndërmarrë hapa konkretë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështje të BE-së në Budapest ai ka deklaruar se rrugët evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalojnë nëpërmjet dialogut.
“Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë nëpërmjet dialogut. Presim që palët t’i vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për çtensionimin dhe përparim në zbatimin te detyrimeve të tyre, në kuadër të dialogut, duke nisur me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”.
Varhelyi ka shtuar se Bashkimi Evropian është i angazhuar për zgjerim dhe përfshirje të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Themelimi i Asociacionit është një nga pikat e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit që Kosova duhet ta zbatojë, por kjo e fundit akuzon Serbinë që nuk po i zbaton marrëveshjet e tjera. Gjithashtu kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve.
Tv Klan