Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, një tjetër emër i përzgjedhur nga “Opinion” si personazh i vitit 2020, tregon për disa prej momenteve më të vështira, por edhe të bukura të vitit që po lemë pas. Përveç gëzimit kur një pacient lë spitalin pasi e fiton betejën me virusin, Çomo thotë që një gëzim i madh ka qenë edhe kur nënat e prekura me Covid kanë sjellë në jetë foshnjen e tyre. Mjekja tregon se ka pasur edhe raste që një familje ka përjetuar njëkohësisht, humbjen e një njeriu të dashur dhe ardhjen në jetë të një tjetri.
“Gëzime tjera kanë qenë edhe lindjet e bebeve të nënave që kanë qenë të infektuara me Covid, apo ardhja në jetë e fëmijëve nga nënat e infektuara brenda spitalit, kanë qenë elementë të rëndësishëm kulmor, sepse diku ka ndërruar jetë një person dhe ti je trishtuar pamasë me një dhimbje shumë të madhe, diku ka ardhur në jetë një person dhe kjo ka ndodhur edhe brenda një familjeje. Gjithmonë është bashkuar pjesa e hidhërimit, dëshpërimit, por edhe gëzimit qoftë të shpëtimit të jetëve dhe të ardhjes në jetë të një fëmije të vogël”, tha Çomo./tvklan.al