Duke parë nga afër punën që po bëhet për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pati një mesazh të drejtpërdrejtë për opozitën dhe protestat e saj.
“Kjo punë kështu është ndarë: disa do djegin dhe do shkatërrojnë, disa do krijojnë dhe do ndërtojnë. Ne jemi te skuadra që krijon dhe ndërton, disa kanë zgjedhur një skuadër tjetër që shkatërron dhe djeg, por demokracia kjo është. Për sa kohë që po e bëjmë teatrin aty ku ishte, por më të bukur, më të madh dhe më të fortë seç ishte, jemi të larë me historinë dhe me besimin që na kanë dhënë qytetarët e këtij qyteti fantastik”.
Sipas Veliajt, punimet për Teatrin e ri po ecin me një ritëm të mirë dhe se brenda vitit 2025 do të ketë përfunduar karabinaja e tij.
“Kur ajo kasollja që kishim zgjati për 80 vjet, imagjino kjo që po investohet për brezat e nipave dhe mbesave tanë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë diçka me cilësi. Më vjen mirë që nuk kemi ceduar te cilësia, teksa shpejtojmë punimet. Ne presim që, deri në fund të tetorit apo fillimi i nëntorit, të kemi dalë në nivelin zero, që me hapjen e kohës, në pranverë, të punojmë pak më shumë në lartësi, në mënyrë që gjatë vitit tjetër të kemi përfunduar karabinanë”.
Kryebashkiaku tha se shpresonte që Teatri të jetë gati vepra e parë të vihej në skenën e këtij Teatri për pak më shumë se një vit.
Tv Klan