Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj publikoi në rrjetet sociale, pjesë nga procesverbali i seancës gjyqësore, që sipas tij tregon debatin me prokurorët. Veliaj shkroi se gjuha e përdorur ngjan si ajo e kohës së regjimit të diktaturës teksa sipas tij prokurori i është referuar duke i thënë “ndyrësirë”.
“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Shihni çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, shkroi Veliaj në rrjetet sociale.
Por në lidhje me këtë pretendim të Veliajt, reagoi vetë Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. GJKKO thotë se në intervalin kohor, të cilit i referohet Veliaj në postimin e tij, në procesverbal nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësisë” nga ana e prokurorit Ols Dado.
“Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë. Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, njoftoi GJKKO.
Ndërsa Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar publikoi pjesën e pretenduar nga Veliaj të procesverbalit të seancës gjyqësore.
“Në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo më sipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së”, njoftoi SPAK.
Sipas SPAK debati mes prokurorit Ols Dado dhe Erion Veliajt ka qenë i tillë:
Prokurori Ols Dado: S’ke turp që thua banesën e prokurorit, ça është kjo, kërcënim është ky që tregon banesën e prokurorit?
Erion Veliaj: Nuk po bëj asnjë kërcënim, unë besoj që është konflikt interesi, prokurori mendon që kjo është sjellje normale, unë mendoj që s’është normale./tvklan.al