Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga qelia nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Ai akuzon prokurorin e çështjes së tij, Ols Dadon se i ka ndaluar momentalisht çdo takim dhe komunikim.
“Kam vetëm këto pusulla ditore me avokatët, deri ditën kur do mund t’ju përqafoj të gjithëve ju, e të merrem me zë e me figurë me këta burra të paburra”, tha Veliaj.
Ndër të tjera, Veliaj shprehet se Dado jo vetëm që nuk e ka hetuar, por “hyri nga vrima e çelësit” në jetën e tij dhe “në fustanet e gruas me një letër anonime”. Këtë të fundit Veliaj thotë se nuk është çudi që ta ketë shkruar vetë prokurori, ose ta ketë marrë nga “maniakët e Sali Fundërrinës”.