Fokusin e tij në replikat me ndjekësit kryeministri e vendosi tek shëndetësia. Edhe pse një nga ndjekëset e pyeste për korrupsionin në spitale Rama u përqendrua tek transformimi që thotë se kanë shërbimet shëndetësore dhe krahasimin e bën me atë që gjetën në 2013.

“E morëm detyrën në një Shqipëri me spitale që ishin ndërtuar në vitet ’60-’70 dhe ishin vetëm arnuar në vitet ’90-2000, një tmerr. Me shtretër lufte akoma, me batanije nga ato ushtaraket me qime si letër zmeril. Banjot me ujë rrjedhje  në korridor gjithandej. Ilaçe, harroje. Pajisje për operacione ishin te shekullit të kaluar. Niveli i sterilizimit, mysybet. Infeksionet post operatore më të lartat në Europë. Mjekët heronj, jepnin e merrnin si në luftë, në mes të Europës, shekulli 21. Autoambulancat, ndizeshin me të shtyra dhe urgjencat vareshin nga oraret e gjumit të rojeve që I linin hapur ato telefonat, për të mos u përgjigjur, me atë telin varur. Nuk po flas për qendrat shëndetësore. Mesjetë e thellë. Katastrofë”, tha Rama.

Kryeministri rreshtoi të gjitha shifrat për investimet në infrastrukturën spitalore, atë të poliklinikave dhe urgjencave përfshirë dhe rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët.

“53 spitale të reja. 10 që nuk ekzistonin. 43 që u shembën përtokë dhe u ribënë komplet nga e para me standarde më të larta europiane. Sot, sot kemi 400 qendra të reja shëndetësore të bëra nga e para që u shërbejnë 1.6 milion qytetarëve. Kemi një urgjencë kombëtare me 320 automjete të pajisura me aparatura jetë shpëtuese, që të gjitha. Kemi mjekë të mirë paguar. 140% më shumë sesa deri dje. Infermierë me 112% më shumë se deri dje. Paguajmë 120 milion euro për të rimbursuar barnat. Kontrollojmë gati gjysmë milion njerëz në vit për shëndetin me analiza falas. Kryejmë 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit dhe 164 lloj testesh laboratorike që deri dje bëheshin vetëm në privat, copë-copë, sa këtej e sa jashtë. Janë kryer 16 milion e 800 mijë ekzaminime me aparatura të fjalës së fundit dhe të gjitha janë falas”, tha Rama.

Bashkëpunimi me Qendrën Spitalore SHIBA në Izrael dhe projektin e ndërtimit të 2 spitaleve në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara dhe Italinë do të mundësojnë që çdo operacion dhe ata me raste me komplikacion të rëndë të kryhen brenda vendit.

Tv Klan