Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish ashpër për arrestimin e tij, duke e cilësuar gjithë procesin të orkestruar. Në një deklaratë të publikuar nga burgu, Veliaj pretendon se hetimet ndaj tij janë të mbështetura mbi fakte të fabrikuara dhe se arrestimi i tij është një pengmarrje pa gjyq.

“Unë i mirëkuptoj të gjithë ata qe neveriten kur shikojnë së si dalin nga gjirizet mediatike fustanet e sime shoqeje. Por, a ma thotë dot kush, ku është maunia me gati 1 milion euro mall? Kanë blerjet online do thoni ju. Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”. Po po, e lexuat mirë, çfarë hani ju tha! Pa merak, se do ju’a tregoj edhe këtë, këtu jemi! U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimse, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq”, tha Veliaj.

Veliaj gjithashtu ka lëshuar akuza ndaj prokurorit të çështjes, Ols Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani, për të cilin thotë se është i lidhur me kreun e opozitës.

“Në thertoren e Erjon Banit – se vetëm sallë gjyqi nuk qe – kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij. Ndërsa, për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq”, tha Veliaj.

Veliaj thotë se e vërteta e tij do të dalë, ndonëse ai po përballet me akuzuesit në kushte të pabarabarta.

“E vërteta ime do të dalë e gjitha, jini të bindur. Por, mundohuni të kuptoni, se sa më e vështirë bëhet kjo betejë krejt e pabarabartë, kur të marrin peng, siç më kanë marrë mua, dhe flasin vetëm ata, duke furnizuar gjirizët me “faktet” e tyre të njëanshme.  Unë jam akoma person i dyshuar, se s’më kanë marrë dot të pandehur, ngaqë nuk kanë një fakt të vetëm, as në dosjen prej sigurimsi të Ols Dados. Aty nuk gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë rryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar. Por, ndërkohë unë akuzohem për korrupsion.  A nuk duket se më kanë mbyllur brenda, pikërisht që të mos ballafaqohesha me “faktet” e me gazetarët “kompetentë”, që furnizohen nga prokurorët edhe përpara avokatëve? Gjejani vetë përgjigjen kësaj pyetjeje, se ndryshe nga Ols violina dhe gjithë fyejt e qemanetë e gjirizëve, unë nuk ngre akuza pa prova”, tha Veliaj.

Ky është reagimi i katërt i Veliajt që pas arrestimit të tij me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme. Në përfundim të tij, ai u bën thirrje mbështetësve që të mos dorëzohen.

Tv Klan