Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me anë të një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur këtë të Mërkurë, se BKH kishte ushtruar kontrolle në një apartament në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarëve të tij.
Ai publikoi edhe një vendim të shkurtuar të Gjykatës së Posaçme që miratonte këto kontrolle në apartamentin e ndodhur në zonën e “Ish-Bllokut” në Tiranë. Berisha thotë se ky ishte një “apartament i fshehtë i çiftit Veliaj dhe se aty janë gjetur qindra fatura, dhjetëra kontrata dhe sasi e madhe cash”.
Mësohet se në fokus të kontrolleve ishin dokumente dhe pajisje elektronike si prova që mund t’u vlejnë hetimeve të regjistruara për 4 akuza, por nuk ka të dhëna zyrtare mbi materialet dhe sendet e sekuestruara nga hetuesit. Kjo është e dyta herë që ushtrohen kontrolle ambientesh për këtë hetim.
Në 6 Dhjetor, hetuesit ushtruan kontroll personal të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, në ambientet e biznesve të saj si dhe të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj.
SPAK me anë të një njoftimi zyrtar tha në atë kohë se kishte regjistruar procedimin numër 27/2024, në datën 8 Shkurt pa emra të hetuarish dhe fillimisht, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë”.
Pas hetimeve të bëra, Prokuroria e Posaçme sqaroi se kishte shtuar edhe 3 akuza të tjera, atë të “korrupsionit aktiv”, “pastrimit të parave” dhe “mosdeklarimit të pasurisë”. Procedimi që ende mbetet pa emra personash nën hetim është regjistruar pas verifikimit të një kallëzimi të bërë sipas SPAK nga një qytetar i vetëidentifikuar si shtetasi N.A. Disa ditë më pas në SPAK u pyet kryebashkiaku dhe bashkëshortja e tij e në fillim të Janarit, në pyetje u mor biznesmeni Elman Abule dhe bashkëshortja e tij, për të njëjtin hetim.
Tv Klan