Vora po përkrah gjithnjë e më shumë Partinë Socialiste, gjë të cilën e ka treguar edhe për votimet për bashkinë. Kështu u shpreh Drejtuesi Politik i PS për Qarkun Tiranë, Erion Veliaj gjatë një takimi me banorët e kësaj zone.
Erion Veliaj, drejtues i PS, Qarku Tiranë: Ne kemi pasur disa fitore të jashtëzakonshme në Vorë, të cilat nuk i kishim menduar kurrë gjatë viteve të gjata në opozitë. Por, është shumë e rëndësishme të mos i trajtojmë këto fitore si një instrument për të qenë arrogant dhe për të mos i dëgjuar njerëzit. Sepse unë mendoj se një nga arsyet pse fituam, përveç organizimit dhe hapjes me elementë të rinj në parti, është sepse humbi pala tjetër.
Veliaj nënvizoi se vetëm gjatë fushatës së fundit në qarkun e Tiranës, PS u rrit me 6 mijë anëtarë të rinj, ndryshe nga rivalët që kanë kryefjalë dhunën sipas tij.
Erion Veliaj, drejtues i PS, Qarku Tiranë: Në fushatën e fundit të anëtarësimeve ne shkuam nga 20 në 26 mijë anëtarë. Kështu që, për 6 mijë anëtarë të rinj, ky rekrutim kaq i shpejtë e kaq i beftë, ishte i jashtëzakonshëm, por edhe i thjeshtë. Ne jemi në pushtet në Tiranë, jemi në pushtet në Vorë, në qeverinë e madhe, në qeveritë e vogla dhe në shumicën e pushtetit vendor. Kështu që ndoshta duhet ta pranojmë që sot është pak më kollaj, por në 33 vite nuk ka qenë gjithmonë kollaj, përkundrazi kush e mban mend, duke filluar që nga ‘91, pastaj me burgosjen e liderit tonë të parë, Fatos Nanos. Pastaj kush mban mend 94-96, Piramidat në ‘97, grushtin e shtetit në ‘98. Kush e mban mend 21 Janarin, kur socialistët vriteshin e plumba në mish.
Në Vorë, Veliaj shpërndau certifikata mirënjohje për socialistët me më shumë vite kontribut në parti.
Klan News