Vendet e QUINT-it të akredituara në Kosovë në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e përkrahin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Ibrit që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut. Pas paralajmërimeve të qeverisë për hapjen e urës, ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë takuar kryeministrin Albin Kurti, të cilit ja kanë bërë të qartë qëndrimet e tyre.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht.”
Kryeministri pas takimit nuk foli për media, por nëpërmjet një komunikate insiston se ura e Ibrit duhet të hapet. Kurti ua ka paraqitur ambasadorëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
“Ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, tha ai.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian në reagimin e tyre kanë thënë se hapja e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve duhet të jetë në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas tyre ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.
Që nga paslufta kjo urë nuk është shfrytëzuar për qarkullim pasi në anën veriore jetojnë shumica serbë e në atë jugore shqiptar.
Në vitin 2011 kjo urë ishte barrikaduar për tu hequr ato pas 4 vitesh. Ndërsa kanë dështuar përpjekjet për hapjen e saj ndonëse kishte dy marrëveshje më 2015 dhe 2016 për një gjë të tillë. Ura aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë.
Tv Klan