Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi të enjten urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarët e Hamasit, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën në Gazë dhe sulmin e 7 Tetorit ndaj Izraelit që u bë shkas për fillimin e luftës.

Vendimi i gjykatës i shndërron Kryeministrin Netanyahu dhe të tjerët në persona të pandehur, të kërkuar ndërkombëtarisht dhe mund të shkaktojë izolimin e mëtejshëm të tyre, duke ndërlikuar përpjekjet për të negociuar armëpushimin që do t’i jepte fund luftës 13 mujore.

Por ndikimi i këtij urdhërarresti mund të jetë i kufizuar pasi Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtete e Bashkuara nuk janë anëtarë të gjykatës dhe disa nga zyrtarët e Hamasit tashmë janë vrarë gjatë konfliktit.

“Dhoma e gjykatësve konsideron se ka bazë të mjaftueshme për të besuar se, të dy individët, qëllimisht dhe me njohuri të plotë, i kanë mohuar popullsisë civile në Gazë mjetet e domosdoshme për të mbijetuar, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”, thuhet në vendimin unanim të panelit prej tre gjykatësish për urdhër-arrestin ndaj zotit Netanyahu dhe ish-Ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu urdhër-arresti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare është një “akt antisemit”.

“Kjo është një ditë e zezë në historinë e kombeve. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila u krijua për të mbrojtur njerëzimin, është bërë sot armiku i njerëzimit.”

Gjykata lëshoi ​​gjithashtu një urdhër-arresti për liderin e Hamasit, Ibrahim Al-Masri, si i dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin e Gazës. Urdhri për Masrin rendit akuzat për vrasje masive gjatë 7 Tetorit 2023, si dhe akuza për përdhunim dhe marrje pengjesh.

Presidenti izraelit Isaac Herzog e quajti vendimin e Gjykatës “ditë të errët për drejtësinë dhe ditë të errët për njerëzimin”.

Ndërkaq grupi militant Hamas i mirëpriti urdhër-arrestet për kryeministrin Netanyahu dhe ish-ministrin Gallant, por nuk i komentoi urdhër-arrestet e lëshuara ndaj drejtuesve të grupit militant.

Gjykata nuk ka forcën e saj policore për të kryer arrestime dhe mbështetet në 124 shtetet anëtare. Është në dorën e shteteve anëtare për të zbatuar urdhërarrestin.

Shtetet e Bashkuara e kundërshtuar vendimin e gjykatës. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre shtoi se Uashingtoni po diskuton me partnerët, përfshirë Izraelin hapat e ardhshëm.

Klan News