Këto janë pamjet e kamerave të sigurisë në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë, ku duket automjeti BMW X6 që përfundoi mbi digën e Liqenit Artificial për shkak të shpejtësisë së lartë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit. Në video shihet se si fuoristrada që qarkullon me shpejtësi të lartë arrin të ngjitet mbi murin e digës dhe ndalohet nga barriera në pistën e vrapit që shërben për qytetarët.
Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka persona të lënduar. Shoferi i mjetit, 26-vjeçari Eldi Allushi nga Durrësi, braktisi mjetin dhe u largua, si dhe mori me vete targat e makinës.
Për ngjarjen ka reaguar kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili kërkon dënimin maksimal për shoferin.
“Tani çdo gjë është kthyer në normalitet, por shpejtësia skëterrë e shoferit (jo e makinës – sepse makina s’ka vendimarrje në çmenduri) që përfundoi mbi digën e Liqenit, rrezikon qytetarët, por edhe vetë të lojturin që veç bordura e shpëtoi nga mbytja në Liqen! Bashkë me Policinë e Shtetit, kemi mbledhur provat dhe do të kërkojmë dënimin maksimal për shoferin tashmë në kërkim – zero tolerancë për kërcënuesit e jetës dhe bashkëjetesës në qytet”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
/tvklan.al