Optimizëm dhe përpjekje që Shqipëria dhe Maqedonia të marrin dritën jeshile për hapjen e negociatave. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën këtë të martë në Luksemburg për të sheshuar kundërshtitë në gjirin e BE-së. Ministri i jashtëm grek, Kotzias, foli për 3 vende që janë kundër.

Vendi më skeptik Holanda këmbëngul në rezultate konkrete të luftës ndaj krimit e korrupsionit.

“Ne nuk mbështesim ende një dritë jeshile sot, pasi edhe pse ka progres, nuk është i mjaftueshëm. Ne duam të shohim gjurmën e provave në luftën kundër korrupsionit dhe shtetin ligjor.  Nuk e di nëse do t’i kthehemi këtij vendimit në shtator, sepse ne duhet të shohim progres të mjaftueshëm”,

tha Stef Blok, ministër i Jashtëm i Holandës.

Stef Blok, ministër i Jashtëm i Holandës

Tjetër qëndrim kanë Gjermania, Austria e Luksemburgu që janë pro zgjerimit. Edhe nëse do të ketë kushte ato do të vlerësohen nga Keshilli Europian.

Michael Ruth, ministër i jashtëm i Gjermanisë: Paqja dhe stabiliteti në Ballkan luan një rol shumë të rëndësishëm për të gjithë ne në Bashkimin Europian. Ne i vlerësojmë përpjekjet që të dyja vendet kanë ndërmarrë për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne jemi gati që të dërgojmë një dritë jeshile dhe inkurajojmë miqtë tanë në Holandë dhe Francë që të na bashkohen.

Gernot Blümer, ministri i Jashtëm i Austrisë: Ne kemi qenë gjithnjë në favor të zgjerimit me vendet e Ballkanit; Kjo përfshin Maqedoninë dhe Shqipërinë, por në këtë fazë ka ende kundërshtime.

Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburgut: Personalisht, mendoj, që bëjmë gabim që nuk marrim një vendim të qartë për Shqipërinë dhe Maqedoninë sot. E di që ka disa kundërshtime. Ne u kemi dhënë statusin e vendit kandidat në 2014 Shqipërisë dhe Maqedonisë në 2005. Për mua është një gabim politik që të mos merret një vendim sot, por ndoshta do gjejmë një zgjidhje së bashku.

Edhe Franca mbetet skeptike. Presidenti Macron beson se prioritet duhet të jetë reforma e brendshme dhe jo zgjerimi. Sipas tij nëse hapen bisedimet me vende që kanë ende nivel të lartë krimi dhe korrupsioni atëherë ekstremi i djathtë do ta shfrytëzojë këtë moment. Takimi i kësaj të marte në Luksemburg i paraprin samitit të Këshillit Europian që do të mbahet në 28 dhe 29 Qershor.

Tv Klan