Janë përjetime shumë personale, por baladat e Ylli Limanit i këndon i madh e i vogël.
Pa një label nga pas që t’i menaxhojë karrierën e t’i sigurojë koncertet, 23-vjeçari duket të jetë një rast i pazakontë në tregun e muzikës, që viteve të fundit po udhëhiqet nga kompanitë e menaxhimit.
“Nuk kam dashur kurrë të jem pjesë e ndonjë grupi edhe pse sakrificat dhe mundi janë shumë të mëdha”, tha Limani.
Videot në Youtube i ka shumë të thjeshta. Ndonëse pa praninë joshëse të ndonjë modeleje, ato numërojnë me miliona shikime.
E megjithatë, video e sapoprezantuar “S’ka Dashni” në bashkëpunim me këngëtarin e muzikës popullore Dani, u duk si një devijim i tij nga stili që ishim mësuar.
A ishte ky kompromisi që Yllit të baladave, i’u desh të bënte për të arritur shpërthimin komercial?
“E kam dëgjuar shumë këtë muzikë dhe mendoj se Dani është vokali më i mirë mashkull i gjallë. Kënga është në ujërat e flokut, nuk është muzikë që e kam kultivuar më herët, por është muzikë që e kam dëgjuar dhe e kam kënduar me shoqërinë. Nuk është zhanër që do ta kultivoj vazhdimisht, por aty-këtu pse jo. Nëse masa e pret mirë atëherë pse jo të mos e bëj sërish”, tha ai.
Për t’u rikthyer 6 vite më parë. Një talent i ri, sfidoi qindra zëra të përzgjedhur nga e gjithë shqiptaria.
Ai nuk mbërriti dot në finale, por sot mund të themi pa frikë se Yll Limani është ku e ku me finalistët e garës së talenteve, që asokohe premtonin karrierë të shkëlqyer.
Ndoshta, intuitën e mprehtë për hapat e duhur në karrierë, Ylli e ka zhvilluar edhe falë të atit, Mufail Limani.
Grupi “Minatori”, ku ai luante në kitare, me këngët në formë proteste u censuruan nga regjimi i kohës. Por, çfarë mendon babai rebel kur dëgjon këngët romantike të të birit?
“Babai im nuk i do shumë këngët e mia. Ai ka kultivuar një zhanër tjetër dhe kur flasim për grupin minatori e kam shumë të vështirë të mbërri në nivelin e tyre. Shpesh nuk i pëlqen që unë të “vuaj” në këngët e mia”, tha Limani.
Skena e muzikës sot, ka një sistem krejt tjetër. Përpos klikimeve, suksesi shpesh matet edhe me artikujt që media e etur për personazhe, i dedikon një artisti. Dhe në këtë aspekt Ylli, i cili bëhet lajm sa herë poston foto me një vajzë, mund të konsiderohet një yll shoëbiz-i.
I vënë në qendër të një të ashtuquajturi “trekëndësh dashurie” mes tij, Tunës dhe bashkëshortit të saj, Patrisit, Ylli nuk kursehet kur vjen fjala tek raporti që ka me familjen e dy muzikantëve.
“Nuk dua të përgjigjem për këtë. Tunës dhe Patrisit ia ha zemrën dhe djalin e vogël e dua shumë. Ata janë njerëz shumë të afërt për mua, janë të familjes. Kam vetëm fjalë të mira për ta”, tha ai.
Por, çfarë mendojnë ata kur lexojnë titujt bombastikë për njëri-tjetrin?
“Ne kemi qëllu bashkë kur kemi lexuar këto lloj lajmesh dhe kemi qeshur. Nuk ka asgjë të keqe mes nesh”, tha këngëtari.
/tvklan.al