Kanë hyrë në ditën e tretë protestat kundër presidentit të zgjedhur Donald Tramp. Në Majemi, mijëra qytetarë bllokuan rrugët me pankarta në duar për të shprehur zemërimin e tyre për presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Protesta pati edhe në Shtete të tjera, nga Los Angeles në Filadelfia e deri në Nju Jork.
Gjithsesi nuk u regjistruan akte të dhunshme sikurse të mërkurën dhe enjten, kur u arrestuan mbi 200 persona.
Një shuplakë e fortë presidentit të zgjedhur i ka ardhur drejtpërdrejt nga Brukseli. Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker tha të premten se me Donald Trampin, Europa do të humbasë 2 vjet.
Jean Claude Juncker, president i Komisionit Europian:
Duhet t’i mësojmë presidentit të zgjedhur se çfarë është Europa dhe se si funksionon. Politika e tij për emigrantët dhe amerikanët me ngjyrë nuk është e përbashkët me politikën e BE. Do të humbasim dy vjet, derisa ai të vizitojë botën që nuk njeh.
Ndërkohë presidenti i zgjedhur Tramp po përgatitet për formimin e kabinetit të tij. Në një deklaratë të premten ai çuditi jo pak kur deklaroi se ligji për shëndetësinë i presidentit Obama, mund të funksionojë ende por me disa ndryshime. Gjatë fushatës presidenciale Tramp e kishte cilësuar ligjin “Obamacare”, si një katastrofë për vendin./ TV KLAN