Ish-presidenti Donald J. Trump ka folur fshehurazi në telefon me presidentin e Rusisë Vladimir V. Putin, të paktën shtatë herë pas largimit nga detyra. Ishte koha kur Trumpi u bënte presion republikanëve në Kongres për të bllokuar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Të gjitha këtu zbulohen në librin e ri të gazetarit Bob Woodward. Libri, i titulluar “Lufta” dhe i planifikuar të dalë në vitrinat e librarive javën e ardhshme, përshkruan një skenë në fillim të vitit 2024 në rezidencën Mar-a-Lago. Ish-presidenti urdhëroi një ndihmës të dilte nga zyra që të mund të fliste në telefon me zotin Putin.
Ish-ndihmësi, i paidentifikuar për momentin, tha se të dy mund të kenë folur disa herë të tjera.
Libri gjithashtu i referohet një episodi tjetër kur Trumpi ishte ende në detyrë, herët gjatë pandemisë së Covid-19 në vitin 2020. Pretendohet se Trumpi i dërgoi fshehurazi Putit për përdorim personal makineritë e rralla të testit të covid Abbott Point of Care.
Zbulimet që bën libri, ngrenë pyetje të reja në lidhje me marrëdhëniet e ish-presidentit Trump me Putinin vetëm disa javë para zgjedhjeve që do të përcaktojnë nëse ish-presidenti do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Autori i librit, Woodward, u bë i famshëm me raportimin e tij të skandalit Watergate. Ai prodhon rregullisht libra me zbulime të tilla. Ekipi i fushatës i kandidatit Trump, reagoi me zemërim dhe ofendime personale ndaj gazetarit Bob Woodward.
Kremlini gjithashtu mohoi informacionin që përmban libri i zotit Woodward rreth bisedave midis Trumpit dhe Putinit.
Ky zbulim vjen ndërsa po kulmon gara për Shtëpinë e Bardhë. Sondazhi i fundit i realizuar nga Reuters/Ipsos tregon se zëvendëspresidentja demokrate Kamala Harris udhëheq ndaj republikanit Donald Trump me tre pikë përqindje, 46% me 43%. Të dhënat tregojnë se të dy kandidatët janë përfshirë në një garë të ngushtë për zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit.
Sondazhi katërditor i përfunduar të hënën tregoi se Trump, i cili kishte lënë pas Harris me gjashtë pikë në një sondazh të Reuters/Ipsos të 20-23 Shtatorit, ishte kandidati i preferuar për një sërë çështjesh ekonomike dhe se disa votues mund të preken nga pretendimet e tij se emigrantët e paligjshëm janë të prirur ndaj krimit.
Klan News