Vala e shkarkimeve në administratë ka vijuar edhe gjatë të shtunës. Deri tani numërohen 9 zyrtarë të lartë të cilët janë liruar nga detyra, e ndërsa për 8 prej tyre është bërë kallëzimi penal në prokurori. Motivacioni për shkarkimin e tyre është përfshirja në fushatën zgjedhore, në kundërshtim me ligjin.

Ministria e Drejtësisë njoftoi lirimin e drejtorit të burgjeve në Fier, Jetnor Krakulli, i cili është anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Drejtorit të Hipotekës në Durrës, Ani Dyrmishi, edhe ai përfaqësues i LSI-së, ndërsa Adriana shehu, e cila drejtonte hipotekën e Sarandës i përket Partisë Socialsite.

Pastrimi për marrje pjesë në fushatë nuk ka kursyer edhe drejtorin e burgjeve në Lezhë Eduart Kurtin, atë të Rrogozhinës Ahmet Bala, të Burrelit, Fatjon Kurtin dhe të Burgut Jordan Misja, Fatjon Fanën. Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, ka shkarkuar edhe kreun e Zyrës Përmbarimore në Durrës, Surin Hoxhën.

Një tjetër zyrtar i lartë i Lëvizjes Socialiste për integrim po ashtu është pezulluar nga detyra, Drejtorja e Instituit të Shëndetit Publik, Sajmira Laçi, ka lënë sot drejtimin e këtij Institucioni. Ajo rezulton edhe në listën e kandidatëve për deputetët të LSI-së në qarkun e Shkodrës.

Një ditë më parë është shkarkuar dhe kallëzuar në prokurori drejtorja Rajonale e Postës së Beratit Haris Ngjeqari. Në një deklaratë Ngjeqari ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj dhe ka thënë se e gjitha është një farsë politike.

Vala e shkarkimeve ka prekur zyrtarë të lartë të LSI-së edhe gjatë ditëve të tjera të javës. Të premte është shkarkuar drejtori i postës Majlind Lazimi, dhe ai i hipotekës në Shkodër Edmond Ndou. Ministria e Arsimit dhe e shëndetësisë ka liruar edhe disa drejtues të zyrave rajonale që ishin anëtarë të kësaj force.

Tv Klan