Deputetja Monika Kryemadhi ka deklaruar se ka shumë komunikime me kryeministrin Edi Rama dhe ministra të PS-së, që sipas saj, SPAK i ka hequr në dosjen kundër saj.
I pyetur në emisionin “Opinion” se çfarë ka biseduar me ish-krytetaren e LSI-së, Rama u shpreh se nuk debaton me njerëz që janë në hall.
I pyetur më tej nga gazetari Blendi Fevziu nëse kreu i qeverisë është vetë në hall nga këto mesazhe Rama tha se nuk ka probleme të kësaj natyre.
Ai u shpreh se nuk ka asnjë njeri që mund të dalë dhe të thotë se e ka vjedhur. Prandaj këtë histori e konsideron si një histori “lehaqensh”.
Blendi Fevziu: Çfarë mesazhesh keni shkëmbyer me Monika Kryemadhin? A ka pasur pazare politike, të vendosim këtë drejtor, të vendosim këtë, të heqim këtë?
Edi Rama: Më vjen shumë keq zonja është në hallin e vet dhe unë me njerëz që janë në hall të madh nuk debatoj.
Blendi Fevziu: A jeni ju në hall nga këto mesazhe përveç halleve të zonjës?
Edi Rama: E di si është kjo pyetje të të them unë ti je në hall mo Fevzi se më dukesh içik i hutuar? Ti je në hall tani për shembull që po mi bën mua apo nuk po mi bën mua pyetjet e duhura? Çfarë pyetje është kjo?
Blendi Fevziu: Pyetje normale.
Edi Rama: Nuk kam asnjë hall të kësaj natyre. E kam thënë dikur kur kam qenë më i ri dhe e kam pasur gjuhën më të lirshme në atë kohë. Nuk ka bir nëne apo bir tjetër që mua të më dalë përpara dhe të më thotë që një qindarkë e imja, e x, gjendet në xhepin tënd. Doli njëri, dhe ai njëri ka ardhur te unë më vonë dhe më ka shpjeguar se ishte ashtu puna etj. Kjo histori është një histori qensh, lehaqensh, dykëmbësorësh që kanë marrë rolin e qenit në mjedisin tonë publik dhe që lehin në të katërta anë dhe që i turren çdo njeriu e bëjnë çorbë dynjanë.
Blendi Fevziu: Ishte në dokumentin e SPAK që zonja thotë fola me Ramën dhe Rama për interkonjeksionin më tha do ta bëjmë shpejt. Si është kjo?
Edi Rama: Lexoje mo. Ti ke një gjë të mirë lexoje pjesërisht se dakord do të bësh emisionin interesant. Lexoje se ka shpjegim aty. Lexoje është ndërruar, apo nuk është ndërruar. Ka kaluar apo nuk ka kaluar. E ka bllokuar apo jo? Lexoje, është e shkruar. Mund të bësh pyetje sa të duash, por pse i bën me gjysmën e së vërtetës./tvklan.al