Të rriturit, dhe ata që janë në marrëdhënie pune, janë kryesisht grupet e rriskuara për tu prekur nga virusi i gripit A H1N1. Kjo konstatohet nga specialistët e shëndetësisë të cilët gjithashtu nuk përjashtojnë faktin që ky virus nuk kursen as fëmijët dhe të moshuarit.
Gazmend Bejtaj: “Ky virus ka prekur më shumë adultët, personat e shëndetshëm, grup moshat që janë të rinj dhe të rritur, jo pleq. Për arsye se është i lidhur ngushtë me udhëtimin, për arsye të ekspozimit më shumë ndaj rrezikut, ndaj virusit. Por ky virus sigurisht nuk ka kursyer as fëmijët, as studentë as të moshuar.”
Për sa i përket vendit tonë Bejtaj deklaron se akoma nuk ka asnjë rast të konfirmuar, ndërsa shprehet se ky virus jep komplikacione tek personat me imunitet të dobët.
Gazmend Bejtaj: “Aktualisht nuk kemi të konfirmuar asnjë rast të prekur me A H1N1 në Shqipëri, nuk mund të themi që nuk qarkullon. Virusi mund të qarkullojë në forma të lehta sepse fatmirësisht ky virus nuk është shumë …, domethënë nuk shkakton sëmundje të rënda. Në raste të veçanta, kryesisht në persona të cilët janë me sëmundje të tjera kryesisht diabet, astma, persona të cilët janë me probleme kardiake që vuajnë nga zemra apo probleme të tjera kronike ata mund të preken më rëndë nga të tjerët.”
E ndërsa pritet që me hyrjen e vjeshtës vaksina kundër gripit A H1N1 të jetë në farmaci, specialistët e shëndetësisë bëjnë thirrej që paralelisht popullata të vaksinohet edhe nga gripi sezonal, pasi kështu do të ishte më e mbrojtur.
Gazmend Bejtaj: “Kështu që mendohet që në vjeshtë do të ketë vaksinë. Pavarësisht nga ky virus e gjithë popullata duhet të vaksinohet edhe ndaj virusit të gripit sezonal të zakonshëm. Alarmi që kanë dhënë specialistët e shëndetësisë që në vjeshtë mund të kemi një valë të re, ka të bëjë pikërisht me faktin që dy viruset mund të kombinohen njëri me tjetrin dhe mund të japin një virus i cili është më virulent.”/tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami