Udhëtimin e parë presidencial jashtë Uashingtonit, Presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania e kanë realizuar në Karolinën e Veriut e goditur rëndë Tetorin e vitit të kaluar nga uragani ‘Helene’ shirat e dendur që sollën përmbytje masive e për pasojë 100 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë mbeten pa shtëpi.

Presidenti kritikoi reagimin e administratës Biden ndaj stuhisë, duke shtuar se administrata e tij e re do jepte zgjidhje konkrete për strehimin.

Gjatë inspektimit në zonat e goditura nga katastrofa, Trump tha se ai do t’u japë më tepër kompetenca vetë shteteve që të merren me fatkeqësitë natyrore.

Sipas Presidentit amerikan, do të shkurtoheshin të gjitha barrierat burokratike dhe lejet për të siguruar rindërtimin e shpejtë të rrugëve dhe banesave në Karolinën e Veriut.

Po ashtu, Presidenti premtoi se do të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për të nisur procesin e rishikimit rrënjësor të funksionimit të Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, për të cilën ai tha se ka dështuar në përpjekjet për të ndihmuar viktimat e fatkeqësive të fundit.

Kjo agjenci mori 29 miliardë Dollarë nga Kongresi Amerikan në muajin Dhjetor për të financuar përpjekjet për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga uragani.

Presidenti Donald Trump është rrugës për në Kaliforni, ku pritet të shikojë dëmet nga disa zjarre që shkatërruan Los Anxhelosin javët e fundit.

Klan News