2 të vdekur dhe 14 të plagosur është bilanci i asaj që duket një akt terrorist, që ndodhi rreth orës 13:15 të kësaj të hëne në Mannheim të Gjermanisë.
Siç shihet në këto pamje një automjet tip “Ford” hyri me shpejtësi në një zonë këmbësorësh në qendër të qytetit jugperëndimor të Gjermanisë, çka tërheq vëmendjen e kalimtarëve të rastit.
Pak çaste më vonë makina përplaset në një turmë personash që frekuentonin zonën kryesisht për të vizituar disa qendra tregtare që ndodhen atje.
Mediat gjermane bëjnë të ditur se policia arrestoi drejtuesin e automjetit, një 40-vjeçar gjerman, ndërsa nëpër qytet është duke u zhvilluar një operacion i gjerë antiterror. Qytetarëve ju dërguan mesazhe që të shmangnin përkohësisht frekuentimin e zonës së qendrës.
Disa prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja ndodh pak javë pas aktit terrorist të 13 shkurtit Mynihut, ku një afgan plagosi po me automjet 36 persona në një zonë këmbësorësh.
Tv Klan