Ukrainasit shpresojnë për mbështetje të fuqishme evropiane një ditë pasi liderët u takuan në Londër në një samit të sigurisë të fokusuar në vendin e shkatërruar nga lufta.
Disa argumentojnë se ndërsa takimi i së premtes ishte një thirrje per zgjimin e Evropës, Ukraina duhet të kërkojë të rregullojë marrëdhëniet e saj me administratën amerikane për të marrë më tej ndihmë ushtarake nga SHBA.
“Presidenti ukrainas është duke bërë gjithçka siç duhet për momentin, ai është garantuesi i gjithçkaje që duhet bërë. Por tani e tutje gjërat nuk varen vetëm nga ai. Do të presim dhe do të shohim”, tha një banor ukrainas.
“Unë mendoj se ne duhet të vendosim marrëdhënie me SHBA përmes rrugeve diplomatike. Por është shumë mirë që Bashkimi Evropian na mbështet dhe më në fund u zgjuam”, tha një banore ukrainase.
Gjithashtu edhe për parisienët u bënë thirrje evropianëve që të qëndrojnë në pozicionin e tyre përballë Donald Trump. Shumica bënë thirrje për një lloj autonomie si e vetmja rrugë përpara.
“Çështja nuk është e lehtë, por në çdo rast, Evropa duhet të marrë pjesë në këtë konflikt dhe të ruaje autonominë e saj përballë Shteteve të Bashkuara”, tha një banor francez.
Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi armëpushim të pjesshëm njëmujor. Një armëpushim i tillë, nëse pranohet, mund t’i lejojë Ukrainës dhe aleatëve të saj të përcaktojnë nëse Presidenti rus Vladimir Putin do të ishte i gatshëm të fillojë negociatat për një marrëveshje paqeje afatgjatë.
Nga ana tjetër në një deklaratë Kremlini ka bërë të ditur se dikush duhet të detyrojë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të bëjë paqe pas përplasjejes me Presidentin amerikan Donald Trump në Zyrën Ovale.
Peskov tha se premtimet nga liderët evropianë duke përfshirë një marrëveshje prej 2 miliardë Dollarësh furnizime ushtarake nga Britania do të bëjnë që lufta të zgjatet dhe se samiti i Londrës nuk kishte qëllim arritjen e paqes.
Klan News