Mbrëmjen e 26 nëntorit,  artisti Agron Hoti prezantoi “Everflow” ku solli një eksperiencë ndryshe duke  pikturuar para të pranishmëve ndërsa në sfond dëgjohej muzika. Në këtë projekt, përfshihet edhe realizimi i një pikture prej 7600 metrash katrorë që u ekspozua më pas në stadiumin “Air Albania”. Piktura më e madhe në botë ka pas edhe një mision social, bamirësinë për të moshuarit që jetojnë të vetmuar.

Në programin “Rudina” në Tv Klan, Agron Hoti rrëfen idenë pas këtij realizimi dhe emocionin e madh që e ka përfshirë për ta sjellë në Shqipëri.

Rudina Magjistari: Si lindi ideja jote për të ndërtuar dhe realizuar një pikturë kaq të madhe, me përmasa  të tilla, 7600 metër katrorë? Imagjino çfarë kanavace, e ke bërë pjesë-pjesë.

Agron Hoti: Materialet kanë ardhur të gjitha nga Italia, i njoh. Shumë vite përpara ka lindur si ide. E kam akumuluar, e kam bluar derisa gjëja më e bukur është e kësaj që bëra në Shqipëri, kthimi që bëra në vendin tim se ofertat ishin edhe në Arabinë Saudite që edhe mund të përsëritet diçka e tillë, ndoshta më e madhe por kthimi këtu është më emocionues, akoma nuk e kuptoj.

E  gjithë piktura është e përbërë nga 2300 copëza të cilat janë shitur të ndara duke krijuar një komunitet ku secili ka një pjesë  të veprës. Hoti e ka realizuar gjatë muajve të verës, në temperaturat përvëluese që gjithsesi nuk mund ta tejkalonin pasionin e tij për të.

Agron Hoti: Projekti ka nisur në maj që kemi filluar të ndërtojmë infrastrukturën, është ndërtuar një tendë e madhe në sheshin “Italia”,  1000 metra katrorë dhe aty jam futur brenda  për gati 4,5 muaj kam  ndenjur, kam ngrënë gjithë atë temperaturën e verës që sivjet ishte shumë agresive dhe e kam mbyllur nga fundi i shtatorit si punë. Më kuriozi i të gjithëve isha unë të shikoja çfarë kam realizuar se është e vështirë të kontrollosh një sipërfaqe kaq të madhe dhe atë natë kemi qenë në stadium direkt, ishim në një emision të Klanit me Ardit Gjebrean dhe unë kisha frikë të ktheja kokën prapa të shikoja pikturën se as vetë nuk e kisha parë të shtrirë komplet. Shumë emocionuese, shumë gjigante./tvklan.al