Opozita e drejtuar nga Hristjan Mickoski është fituesja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, që u mbajtën të mërkurën në Maqedoninë e Veriut. VMRO-DPMNE do të ketë 58 mandate në parlamentin me 120 vende, tre më pak që nevojiten për të formuar qeverinë.
Mickoski ka paralajmëruar se ka nisur bisedimet më të gjitha partitë e opozitës dhe se deri më 28 Maj do t’i sigurojë votat e 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re. Ai hodhi poshtë mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në e Ali Ahmetit, por la të hapur përfshirjen e koalicionit të partive shqiptare VLEN.
Pikërisht koalicioni i partive shqiptare “Fronti Europian” i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit u rendit i dyti duke marrë 19 vende në parlament. Ahmeti nuk ngurroi ta urojë Mickoskin për fitoren.
Me një rezultat tejet zhgënjyes LSDM-ja e Dimitar Kovaçevskit që qeveris vendin prej vitesh ka zbritur në vendin e tretë, duke fituar vetëm 18 mandate në Kuvend. Në vend të katërt renditet një tjetër koalicion partish shqiptare. Bëhet fjalë për VLEN i cili ka marrë 13 mandate në Kuvend.
12 ulëse të tjera u kanë shkuar 2 partive maqedonase. Një fitore të thellë opozita shënoi edhe në zgjedhjet presidenciale, ku kandidatja e saj Gordana Davkova fitoi me rreth 65% të votave kundrejt 29% të presidentit në detyrë Stevo Pendarovski. Ceremonia e betimit të presidentes së re në Parlament pritet të organizohet më 12 maj.
Tv Klan