30-vjeçari Kristian Marku, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në autostradën Fier-Vlorë, dyshohet se u nxor në pritë. 3 dyshohet të kenë qenë autorët, të cilët fillimisht e kanë ndjekur viktimën, e më pas kanë hapur zjarr ndaj tij duke e qëlluar 11 herë, ku të gjitha plumbat e dala nga një armë tip automatike kanë përshkruar trupin e 30-vjeçarit.
Breshëria e plumbave të lëshuara ndaj Kristian Markut, njohur ndryshe dhe si Kristian Bardhi, mendohet të ketë zgjatur për rreth 400 metra teksa i riu lëvizte me automjetin e tij tip Golf.
Goditjet kanë qenë nga krahu i shoferit, siç mund ta shihni dhe në këtë foto, me 30-vjeçarin që në tentativë për t’i shpëtuar plumbave, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen.
Pasi janë siguruar se objektivi i tyre është ekzekutuar, vrasësit kanë djegur makinën e përdorur në vrasje rreth 1 kilometër larg vendngjarjes, aty ku policia e gjeti të shkrumbuar, por zbuloi se targat e saj i ishin vjedhur një polici në Vlorë.
Kristian Marku alias Kristi Bardhi nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai është person me precedentë penalë për “vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentative” dhe “mbajtja pa leje e armeve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
Ai është nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në shtator të vitit 2023. Familja e tij, njihet për një konflikt në zonën e Rrëshenit. Mbi bazën e këtyre dyshimeve policia ka si pistë kryesore hakmarrjen.
Për zbardhjen e ngjarjes hetuesit kanë marrë në pyetja disa persona, mes të cilëve dhe anëtar të familjes me të cilën fisi i viktimës janë në konflikt.
Tv Klan