Ky është 30-vjeçari Kristian Marku nga Rrësheni, i cili u ekzekutua mbrëmjen e të hënës në autostradën Fier-Vlorë. I riu i cili njihet dhe me mbiemrin Bardhi, dyshohet se u nxor në pritë dhe u qëllua 11 herë në drejtim të tij.
Pothuajse gjithë plumbat e dala nga një armë automatike kanë përshkruar trupin e 30-vjeçarit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët të cilët dyshohet se ishin 3 persona, e kanë ndjekur viktimën dhe më pas e kanë qëlluar për rreth 1 kilometër në lëvizje.
Goditjet kanë qenë në krahun e shoferit. I riu në tentativë për t’i shpëtuar atentatit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen.
Ekzekutorët pasi u larguan nga vendi i krimit, 1 kilometër më larg dogjën automjeti tip Golf. Nga verifikimet rezultoi se targat e vendosura në këtë automjet i ishin vjedhur një punonjësi policie në Vlorë.
Kristian Marku është emër i njohur për autoritetet. 30-vjeçari rezulton me precedent penal për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ai është nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në Shtator të vitit 2023. Familja e tij njihet për një konflikt në zonën e Rrëshenit.
Mbi bazën e këtyre dyshimeve policia ka si pistë kryesore hakmarrjen. Për zbardhjen e ngjarjes hetuesit kanë marrë në pyetja disa persona, mes të cilëve dhe anëtar të familjes me të cilën fisi i viktimës janë në konflikt.
Klan News