Vrasja e 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të Shkodrës nuk ka ende një autor. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se atentatit ndaj tij është realizuar nga një autor, i cili i ka zënë pritë 33-vjeçarit rreth 1 kilometër pranë banesës së tij.

Dyshohet se autori ka qene i fshehur buzë rrugës dhe aty ka qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj mjetit Mercedes me të cilin po udhëtontë Ramazan Mataj. Sapo ka ardhur 33-vjeçari, autori ka hapur zjarr duke e qëlluar me 29 plumba drejt automjetit të tij. Ka qenë një banor i zonës, ai i cili më pas ka konstatuar viktiminën dhe ka lajmëruar Policinë.

Mësohet se gjurmët e autorit janë ndjekur nga grupi hetimor përmes një qeni të Policisë, i cili i ka çuar deri në një farë distance. Zona ku ka ndodhur atentati nuk është e mbuluar me kamera sigurie, pasi vrasja ka ndodhur në një rrugë dytësore, në të cilën nuk gjenden banesa dhe as biznese.

Ramazan Mataj nuk kishte precedent penale në vendin tonë. Ai ka jetuar më parë në Belgjikë nga ku është kthyer para një viti.

Klan News