“Nuk marrim avokat. Të pushkatohet në mes të fshatit Gjerbës”
Shprehen të revoltuar për krimin që ka bërë djali. Prindërit e Ervis Zotajt, njërit prej tre autorëve që vranë Drita Saliajn, tregojnë se kishin kuptuar që diçka nuk shkonte me fëmijën e tyre. Thonë se nuk u kishte shkuar mendja që ai kishte vrarë një person. Ata kërkojnë që drejtësia të veprojë ndaj dalit të tyre.
“Djalin e mbështes me plumb në kokë, nuk zë as avokat asgjë, dua të pushkatohet në Gjerbës të Mallakastrës. E kemi rritur me lakra si në kohën e Hoxhës dhe të ma bëjë djali këtë nuk e dua. I lutem qeverisë të ma sjellë atje djalin, ta vras me dorën time. Unë kam 4 çuna 3 vajza, tani kam 6, e bëj hasha, të vijë këtu ta vras me dyfek, ta bëj hasha”.
Ata tregojnë dhe momentin e arrestimit të djalit nga forcat e rendit.
“Kur erdhi policia ishim në gjumë, ne nuk dinim asgjë. Djali kishte vajtur te shtëpia e kushëririt që jeton në Greqi. E morën në gjumë dhe e arrestuan”.
Për vrasjen e Drita Saliajt në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, janë arrestuar 3 persona, ndër të cilët edhe nipi i bashkëshortit të saj, Luis Saliaj. Gjatë tentativës së grabitjes ata janë pikasur nga viktima.
Të rinjtë kanë pranuar krimin përpara hetuesve dhe kanë treguar se pas torturave e kanë hedhur trupin e viktimës në një rezervuar duke i shkaktuar asaj vdekjen.
Tv Klan