I qetë dhe i qeshur, Luigi Mangione, 26-vjeçari i akuzuar për vrasjen e ish-drejtorit ekzekutiv të kopanisë së sigurimeve shëndetësore UnitedHealth, Brian Thompson, doli përpara gjykatës.
Mangione, u shoqërua në sallën e gjyqit të gjykatësit Gregory Carro në katin e 13-të të gjykatës penale të New York-ut në Manhatanin e poshtëm nga një numër i lartë oficerësh. Ai ishte prangosur në duar dhe në këmbë ndërsa u paraqit i veshur me pulovër ngjyrë vishnjë mbi një këmishë me jakë të bardhë.
Mangione u mbështet në tavolinë dhe pranë mikrofonit tha “i pafajshëm” kur gjykatësi Carro e pyeti se si deklarohet për aktakuzën me 11 pika që përfshin vrasjen si një akt terrorizmi dhe armëmbajtje pa leje.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me dënim maksimal me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.
I ndjeri Thompson, drejtuesi i kompanisë UnitedHealthcare, u qëllua për vdekje më 4 dhjetor jashtë një hoteli në qendër të Manhatanit, ku kompania po mblidhej për një konferencë investimesh.
Avokatja e zotit Mangione Karen Friedman Agnifilou ankua se klientit të saj po i shkelen të drejtat dhe parimi i prezumimit të pafajësisë.
Klan News