25-vjeçari Darment Keli, i cili vrau me thikë 34-vjeçarin Amarildo Hoxhallari u tha hetuesve se ngjarjen e kreu në gjaknxehtësi e sipër. I riu gjatë dëshmisë së tij tregoi dinamikën e sherrit, që më pas përfundoi me vdekjen e 34-vjeçarit Hoxhallari.
“Sapo kisha arritur afër shtëpisë bashkë me të fejuarën. Ajo shkoj tek parkimi dhe unë u ngjita lart, kur shikoj një motor që po e ndiqte dhe po e ngacmonin. Nga ballkoni u fola, por më ofenduan. Mora thikën dhe zbrita poshtë. Ata ishin dy veta. Amarildo Hoxhallari më ofendoi sërish dhe goditi. Në sherr e sipër e godita me thikën që kisha marrë në shtëpi. Nuk kisha qëllim ta vrisja, por më ofendoi dhe më goditi përpara.”
Amarildo Hoxhallari mori 4 goditje thike, dy në gjoks dhe dy në këmbë, që rezultuan fatale për jetën. Bashkë me viktimën, në motor ishte edhe 25-vjeçari Ardi Marishta, i cili u arrestua. Ndalimi i tij u bë pasi rezultoi se drejtonte motomjetin në gjendje të dehur. Darment Keli pas ngjarjes u largua menjëherë nëpër rrugicat e Astirit, por u arrestua disa minuta më vonë nga policia.
Materialet hetimore janë dërguar në Prokurori për dy vepra penale, të vrasjes me dashje dhe të prodhimit, mbajtjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta.
34 -vjeçari Amarildo Hoxhallari, është një emër i njohur për organet ligjzbatuese, për shkak të precedentit të vitit 2015, kur u akuzua bashkë me kushëririn Aurel Hoxhallari, për organizimin e atentatit të dështuar ndaj Pajtim Serjanit, te “Rruga e Kavajës”. Kushëriri i viktimës, Aurel Hoxhallari është i dënuar me burg përjetë në mungesë për vrasjen e Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018.
Klan News