Darment Keli u tha hetuesve se goditi me thikë në gjaknxehtësi e sipër ndaj 34-vjeçarit Amarildo Hoxhallari, pasi pa në distancë që ai bashkë me një mikun e tij po i ngacmonin të dashurën.
25-vjeçari i cili mohon të kishte qëllim vrasjen e 34-vjeçarit, rrëfeu në Policinë e Tiranës rrethanat e ngjarjes së rëndë.
“Unë po rrija në ballkon kur poshtë pashë që dy çuna me motor, po i flisnin dhe ngacmonin me fjalë të dashurën time. Jam futur në banesë ku mora thikën, zbrita poshtë dhe u konfliktova me fjalë dhe më pas edhe fizikisht me ta. Gjatë momentit të konfliktit fizik dhe në gjaknxehtësi e sipër e kam qëlluar disa herë me thikë, por nuk kam pasur qëllim që ta vras”.
Keli i arrestuar pak orë pas ngjarjes së rëndë qëlloi disa herë me thikë rreth orës 19:00 të së shtunës ndaj Amarildo Hoxhallarit, teksa ky ishte bashkë me një mikun e tij duke lëvizur me motor.
Policia vuri në pranga edhe mikun e viktimës pasi rezultoi të ishte duke drejtuar motorin në gjendje të dehur. Amarildo Hoxhallari nuk është i panjohur për Policinë e Tiranës, pasi ka qenë i skeduar për një ngjarje në 2015, ku mbetën disa të plagosur dhe një person i vrarë.
Tv Klan