Ekzekutori i Hekuran Billës rrezikon burgim përjetë
Ekzekutimi i Hekuran Billës në Tiranë është klasifikuar nga prokuroria si vrasje për gjakmarrje, një vepër penale që ndëshkohet automatikisht me burgim të përjetshme nga Kodi Penal shqiptar.
Nën këtë akuzë është vënë Viktor Marku, i cili është ekzekutori kryesor. Ai u ndalua në Mal të Zi, dy ditë më parë dhe i është dorëzuar dje policisë shqiptare.
Viktor Marku, banues në Nicaj, Shkodër, është vëllai i viktimës Prel Marku i vrarë në vitin 2006 në Londër, krim për të cilin është akuzuar dhe dënuar viktima Billa.
Në vijim të të njëjtit operacion në Shkodër u arrestua në flagrancë shtetasi Andih Agraja, të cilit gjatë kontrollit fizik, në çantën e krahut, iu gjet e iu bllokua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri tip pistoletë dhe 1 krehër me 7 fishekë.
Agraja ka pohuar në polici se Viktor Marku kishte marrë një makinë me qira në agjencinë e tij. Kjo kishte qenë pjesë e skenarit të gjerë që kishin organizuar vrasësit, për të mos lënë gjurmë.
Por në numrin e madh të makina që janë përdorur ata kanë lënë gjurmë gishtash duke bërë që policia të shkojë me radhë tek të gjithë anëtarët e grupit që ka marrë pjesë në vrasjen e Billës.
Arrestimi Viktor Markut duket se është bërë me prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën e rëndë të vrasjes për gjakmarrje, e cila ndëshkohet aktualisht me maksimumin që parashikon Kodi Penal.
Dënimet për krimin e gjakmarrjes janë forcuar shumë pak vite më parë pikërisht në përpjekje për të ndaluar vrasjet në seri që ndodhnin kryesisht në zonën e veriut të vendit, me motiv gjakmarrjen.
Për këtë çështje është arrestuar më parë nipi i Viktor Markut, Sebastian Mali dhe është shpallur në kërkim një tjetër person, që ndihmoi Markun të largohej nga vendi i ngjarjes pas atentatit.
Klan Plus