Vrasja e një aktivisteje amerikano-turke gjatë protestave në Bregun Perëndimor mund të nxisi një tjetër fërkim mes SHBA dhe Izraelit. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një hetim të plotë për vrasjen e ndodhur të premten.
Mediat lokale raportuan se Aysenur Ezgi Eygi, 26 vjeçe, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite ndërsa merrte pjesë në një protestë javore kundër zgjerimit të vendbanimeve hebreje në qytetin Beita pranë Nablus. Gjatë protestës, dëshmitarët thanë se një ushtar izraelit qëlloi Ezgi Eygi në kokë dhe ajo u rrëzua në një ullishte. Ajo vdiq më vonë nga plagët e saj në spitalin Rafidia në Nablus.
Duke reaguar ndaj vrasjes, Stéphane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, tha:
“Ne do të dëshironim të shohim një hetim të plotë të rrethanave dhe se njerëzit duhet të mbahen përgjegjës.” Civilët, shtoi ai, “duhet të mbrohen në çdo kohë”. SHBA bëri thirrje gjithashtu për një hetim mbi incidentin. Uashingtoni ka deklaruar se është thellësisht i shqetësuar nga vdekja tragjike e një qytetari amerikan.
Së fundmi forcat izraelite u tërhoqën nga qyteti Jenin dhe kampi i tij i refugjatëve në Bregun Perëndimor të pushtuar pas një operacioni madhor nëntë-ditor atje. Të paktën 36 palestinezë u vranë, 21 nga provinca e Jeninit. Shumica e të vdekurve janë marrë nga grupet e armatosura si anëtarë, por ministria thotë se mes të vrarëve ka edhe fëmijë.
Në 50 vitet e fundit, Izraeli ka ndërtuar vendbanime në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ku tani jetojnë më shumë se 700,000 hebrenj. Vendbanimet konsiderohen si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar sipas Këshillit të Sigurimit të OKB-së megjithëse Izraeli e kundërshton këtë.
Klan News